
Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka zhvilluar disa takime me qytetarë dhe përfaqësuese të komunitetit të grave, ku ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së tyre aktive në jetën politike dhe ekonomike të qytetit.
Në një takim u diskutu për rëndësinë e përfaqësimit të grave në nivelin lokal dhe për mbështetjen që u është ofruar atyre gjatë mandatit të kaluar qeverisës.
“Jam i bindur se politikat gjinore janë gjithmonë të domosdoshme dhe një hap i sigurt për zhvillimin e shoqërisë sonë,” u shpreh Hyseni, duke nënvizuar angazhimin për ta thelluar përkrahjen ndaj grave në vendimmarrje dhe në zhvillim ekonomik.
Një tjetër fokus i takimeve të fundit të kandidatit ishte edhe fuqizimi i bizneseve të vogla në Gjilan, me theks të veçantë tek gratë ndërmarrëse. Hyseni vizitoi zonjën Agona Zeneli, përfituese e Fondit për Biznes Ekzistues për vitin 2025, e cila është mbështetur me grant nga Komuna për të zhvilluar më tej aktivitetin e saj kreativ.
“Pata kënaqësinë të takoja zonjën Agona Zenelin, krijuese e talentuar dhe përfituese e fondit për biznes. Me kësi lloj mbështetjesh konkrete do të vazhdojmë edhe në mandatin e ardhshëm”, theksoi Hyseni, duke e konsideruar këtë si model të suksesit që duhet përkrahur dhe zgjeruar.
Ai shprehu bindjen se bizneset e vogla përbëjnë shtyllë të rëndësishme të zhvillimit lokal, ndaj mbështetja për to do të mbetet prioritet strategjik edhe në planin e ardhshëm qeverisës të Vetëvendosjes për Gjilanin.