
James Rubin, ish-nëndihmëssekretar amerikan i Shtetit gjatë luftës në Kosovë, ka dëshmuar sot në rastin e Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në Hagë.
Rubin foli për rolin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm të tyre me SHBA-të.
Megjithatë, nga Lëvizja Vetëvendosje po përpiqen që dëshmisë së tij t’i japin një interpretim tjetër.
Alban Krasniqi, anëtar i VV në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se po rezulton se Thaçi nuk ka qenë kreu, por Agim Çeku.
“James Rubin, duke treguar përvojën e tij, dëshmoi që lufta e UÇK-së ishte e drejtë, por shpërfaqi edhe disa të vërteta ndryshe nga ato që i janë servirur publikut për 25 vite: 1. Hashim Thaçi tash po del që nuk paska qenë komandant apo udhëheqës i UÇK-së, por Agim Ceku. Andaj, të ia njohim këtë rol dhe vlerë general Çekut, të cilën ia kanë mohuar në luftë edhe pas luftës. 2. Delegacioni ynë në Rambuje, në krye me Thaçin, paskan qenë të gatshëm të pranojnë një marrëveshje ku nuk përmendet pavarësia, por që fatmirësisht ka pasur presion nga komandantët dhe luftëtarët e UÇK-së në terren për të mos pranuar një zgjidhje që nuk e përmban brenda dokumentit pavarësinë në perspektivë. 3. Është pranuar marrja e përgjegjësisë për çfardo krimi që mund të bëhet pas përfundimit të luftës në emër të saj”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.