Aleanca e shoqeve në MD- E preferuara e kabinetit të Haxhiut rrugës për bërë shefe e departamentit më të rëndësishëm - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Aleanca e shoqeve në MD- E preferuara e kabinetit të Haxhiut rrugës për bërë shefe e departamentit më të rëndësishëm

    Insajderi
    15 May 2025 - 16:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Aktualisht e ushtron detyrën e shefes ligjore, por edhe konkursi është i hapur për të. Albulena Haxhiu është kujdesur që edhe këto ditë të e bëjë drejtoreshë në një departament tjetër. Feride Podvorica edhe një herë ia ka mësyrë Departamentit Ligjor, që del të jetë më i rëndësishmi në Ministrinë e Drejtësisë, prej nga shkojnë pjesa më e madhe e ligjeve të Qeverisë.

    Mira Avdimetaj

    Feride Podvorica, aktualisht ushtruese e detyrës së Drejtoreshës së Departamentit Ligjor, vazhdon të tërheqë vëmendje pas një sërë zhvillimesh në karrierën e saj brenda Ministrisë së Drejtësisë.

    Vetëm muajin e kaluar, ajo është emëruar Drejtoreshë e Departamentit për Mbikëqyrje të Profesioneve të Lira, vendim i cili tashmë është objekt ankese në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

    Pavarësisht kësaj, Podvorica ka aplikuar edhe në konkursin e hapur për pozitën e njëjtë që aktualisht po e ushtron si ushtruese detyre, Drejtoreshë e Departamentit Ligjor, duke ngritur dilema rreth integritetit të procesit të emërimeve dhe përfshirjes së ndikimit politik në përzgjedhjet brenda institucioneve shtetërore.

    Sipas njoftimit të fundit nga procesi, Feride Podvorica është në mesin e katër kandidatëve që janë përzgjedhur për të vazhduat tutje procedurat e rekrutimit.

    Konkursi për pozitën e Drejtorit të Departamentit Ligjor është ende në proces dhe sipas burimeve brenda Ministrisë, Podvorica pritet ta rrëmbej edhe këtë pozitë.

    Këto dyshime vijnë pasi kjo nuk është hera e parë që Feride Podvorica aplikon në këtë konkurs.

    Edhe në fund të viti 2023, Podvorica ia kishte mësyrë kësaj pozite por, ishe bllokuar procesi dy jave pasi Gazeta Insajderi kishte raportuar rreth dyshimeve për lidhje mes një anëtareje të komisionit, sekretares së Ministrisë së Drejtësisë dhe kandidates Feride Podvorica.

    Insajderi ka dërguar pyetje tek ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Departamentit Ligjor, Feride Podvorica, për këto dyshime por, deri në publikimin e artikullit nuk ka kthyer përgjigje.

    Aleanca e shoqeve në ministrinë e Haxhiut 

    Sipas burimeve brenda Ministrisë, përkrahja që Podvorica gëzon nga partia në pushtet ka qenë faktor kyç në avancimin e saj të shpejtë.

    Insajderi kishte raportuar se në konkursin e kaluar mobilizimi për emërimin e Feride Podvoric në Departamentin Ligjor kishte nisur qysh tek anëtarët e komisionit përkatës.

    Për atë konkurs, burimet kishin thënë se sekretarja e ministrisë Anita Kalanderi ka angazhuar shoqen e saj, Flutura Berbati Zejna si anëtare e komisionit për të bërë përzgjedhjen e shoqes tjetër të saj, Ferida Podvorica.

    Aleanca shoqërore e treshes mund të shihet edhe në disa postime në rrjetin social Facebook.

    Madje dyshja, Anita Kalanderi dhe Flutura Berbati Zejna, të cilat sipas burimeve, janë shoqe para shumë vitesh, shihen duke u shoqëruar edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Foto e marr nga profili i Anita Kalanderi në Facebook

    Gazeta Insajderi ka siguruar edhe fotografi ku shihet edhe sekretarja e MD me kandidaten e përzgjedhur për intervistë me gojë, Feride Podvorica.

    Foto e marr nga profili i Anita Kalanderi në Facebook

    Si kandidate e vetme, Podvorica duke mos pasur kundërkandidat pritet që të përzgjidhet në këtë pozitë pas intervistimin me gojë.

    Lidhur me këto dyshime, Insajderi kishte kontaktuar zyren për media në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

    Në përgjigjen e tyre thuhet se, MD ka ndërmarr të gjitha masat për të siguruar një konkurs transparent

    “Referuar pretendimeve tuaja, Ju njoftojmë se Ministria e Drejtësisë bazuar në fushëveprimin dhe legjislacionin në fuqi, ka ndërmarrur të gjitha veprimet që janë kompetencë e jona për të siguruar procese transparente dhe të rregullta”, thuhet në përgjigjet nga MD.

    /Gazeta Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark