SHBA dhe Rusia thonë se përpjekja e tyre e kombinuar për të shuar trazirat në Siri ka rezultuar në rënie të konsiderueshme të luftimeve në disa zona, por sfida mbeten.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar të hënën, të dy vendet thanë se luftimet mes regjimit sirian dhe rebelëve kanë rënë ndjeshëm në veri të Latakias dhe në lindje të Ghoutas, dy zona të caktuara për vendosjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA dhe Rusia në fund të prillit.
“Megjithatë, ne kemi hasur vështirësi në disa zona të vendit, veçanërisht në periudhën e fundit,” thuhet në deklaratën e përbashkët SHBA – Rusi.
Një armëpushim që hyri në fuqi në shkurt, në Siri, ka pasur rezultate të përziera. Një nga zonat më të turbullta ka qenë qyteti i Aleppos, ku rreth 300 persona janë vrarë gjatë trazirave në javët e fundit.
Një zyrtar amerikan tha se SHBA dhe Rusia janë të përkushtuar për zgjatjen e periudhës së armëpushit në Aleppo që përfundon të hënën vonë.
Në një konferencë mbi situatën, zyrtari tha se ditët e fundit, luftimet në përgjithësi kanë rënë në Aleppo, qyteti më i madh në Siri, por ka pasur edhe vatra luftimesh.
Zyrtari tha se disa nga trazirat përfshinë Frontin Nusra, një grup terrorist që nuk është pjesë e armëpushimit.
Deklarata e përbashkët amerikano – ruse vjen ndërsa sekretari i Shtetit John Kerry takohet me ministrin e jashtëm francez Jean-Marc Ayrault, në Paris, për të diskutuar një sërë çështjesh, duke përfshirë procesin e paqes në Siri. Zoti Kerry merr pjesë gjithashtu në një takimi të udhëhequr nga Franca mbi Sirinë, ku marrin pjesë edhe Gjermania, Turqia, Katari dhe Arabia Saudite./REL