Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shpallur fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale të vendit, të mbajtura gjatë ditës së sotme.
Vuçiq ka fituar shumicën e votave në rrethin e parë të votimit, duke shmangur një përballje në balotazh me rivalin e tij kryesor, Sasha Jankoviq, i cili ka dalë i dyti.
Para bashkëpunëtorëve dhe mbështetësve të tij të shumtë, në selinë e partisë së tij, Vuçiq është shprehur shumë i lumtur për atë që ai e ka quajtur fitore bindëse.
Vuçiq ka thënë se serbët kanë treguar me votën e tyre se në ç’drejtim dëshirojnë të shkojë vendi, raporton Gazeta Express.
Në bazë të 87.7 për qind të votave të numëruara, kryeministri serb ka marrë 55.00 për qind të votave, ndërsa Jankoviq 16.30 për qind.
Deri më tani, roli i presidentit në Serbi ka qenë kryesisht ceremonial, por pritet që ai do të bëhet më me ndikim gjatë presidencës së Vuçiqit.
Sipas të dhënave jozyrtare, rreth 55 për qind e serbëve me të drejtë vote kanë votuar për presidentin e ri të dielën.
Organizata CeSID ka thënë se kjo është pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje në Serbi që nga viti 2012.