Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për një angazhim më të madh të Qeverisë së Kosovës lidhur me shqetësimet e komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, sidomos në lidhje me shfuqizimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe respektimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Në prag të takimit të dy qeverive, që do të zhvillohet sot në Prishtinë, Ahmeti ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të interesohet dhe të ngrejë çështjen e shqiptarëve në Maqedoni gjatë bisedimeve me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Në një deklaratë për media, Ahmeti shprehu shqetësimin e tij për iniciativat që po ndërmerren për ndryshimin e ligjit të gjuhës dhe për përpjekjet për ndryshimin e substancës së Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka garantuar të drejtat themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se këto tentativa përbëjnë një shkelje të rëndë të angazhimeve ndërkombëtare dhe të të drejtave të komunitetit shqiptar.
“Kam bërë një thirrje dhe apel për Qeverinë e Kosovës që shqetësimet e shqiptarëve të Maqedonisë t’ia komunikojnë drejtpërdrejtë kryeministrit të Maqedonisë së Veriut,” u shpreh Ahmeti. “Kam apeluar që të gjitha partitë politike në Kosovë të tregojnë përkujdesje për këto shqetësime dhe të mos jenë indiferente ndaj tentativave për të ndryshuar ligjin e gjuhës dhe marrëveshjen paqësore të Ohrit.”
Ai theksoi se angazhimi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është një kauzë e përbashkët për shqiptarët, e cila ka ndikim jo vetëm në të ardhmen e Kosovës, por edhe në stabilitetin dhe integrimin e rajonit.
Ahmeti shprehu shpresën se ky apel do të marrë vëmendjen e institucioneve shtetërore dhe liderëve politikë në Kosovë.
“Shpresoj që ky apel të shkojë deri tek udhëheqësit e partive politike dhe të mos mbetet pa përgjigje. Përpjekjet tona historike kanë qenë të përbashkëta dhe janë orientuar në drejtim të sigurimit të lirisë, ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe përmirësimit të statusit politik dhe juridik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut,” përfundoi Ahmeti përcjell Insajderi.