Deputeti e ish kryetari i Komunës së Pejës nga radhët e AAK-së, Ali Berisha ka reaguar ndaj Gazmend Muhaxhirit, kryetar aktual i Pejës nga radhët e LDK-së.
Ai e ka cilësuar kryetarin e Pejës, Muhaxhirin, si një propagandues. Këtë ai e thotë bazuar në deklaratat e Muhaxhirit i cili ka thënë se “po të ishte AAK-ja në pushtet do ta kalonte në Kuvend marrëveshjen e Demarkacionit”.
“Tashmë kur’ i kanë shkuar pothuaj 3 vjet që kur është në qeverisje të Pejës, popullata –opinioni e ka qartë çdo detal, çdo premtim, cdo gënjeshtër dhe çdo veprim që është gatuar në kuzhinat e Gazit dhe qarqeve të tij”, shkruan Berisha në rrjetin social Facebook.
Berisha insiston se është kundër marrëveshjes së Demarkacionit dhe këtë ai thotë se e ka shfaqur në Kuvendin e Kosovës.
“Sa i përket asaj se; po të isha/im, ne në pozitë (unë dhe AAK) do ta kalonim (Demarkacionin), nuk ka nevojë të zgjatem shumë në arsyetim. Edhe sot në pozitën-tat ku ndodhem-i, (në Kuvendin e Kosovës), qëndrimi im-ynë mbetet i vjetri ose i njëjti. Kosova (Rugova e Podguri) nuk kanë tokë për të falur”, thotë Berisha.
Ai i thotë Muhaxhirit që të tregojë qëndrimin e tij personal rreth çështjes së Demarkacionit, dhe të mos përhap propagandë ndaj tij.
“Në jetën time, kurrë nuk jam fshehur prapa gjërave që i kam thënë. Gazmend Muhaxheri këtë propagandë po e bënë me mbështetjen e qarqeve të caktuara, për të çorjentuar opinionin e gjërë nga problemet e shumta e pa rrugëdalje që e kanë kapluar në Komunën e Pejës, në partinë e tij të fundit (LDK-në) dhe tashmë edhe në koalicionin qeverisës lokal e qëndror.
Gazmend Muhaxheri në vend se të merret me emrin tim, më mirë bënë tu tregojë publikisht rugovasve, podgurasve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës se cili është qëndrimi zyrtar i tij rreth çështjes së Demarkacionit”, thuhet në reagimin e Berishës.
Berisha ka qenë për dy mandate i pari i Komunës së Pejës, derisa radhën e tretë pësoi disfatë nga kandidati i LDK-së, Gazmend Muhaxhiri./Insajderi.com