Albina Gërxhaliu, ish-punonjëse në Ambasadën e Kosovës në Itali, po përballet me një rast që ilustron mungesën e respektimit të të drejtave të punëtorit nga ana e ministrisë që drejtohet nga Donika Gërvalla, përfshirë mosdhënien e shpërblimit përfundimtar të mbajtur nga paga e saj për vite me radhë. Ambasada, sipas vendimit të Gjykatës Italiane, i detyrohet Gërxhaliut një shumë prej mbi 10 mijë euro si kompensim i ligjshëm, por deri më tani nuk e ka përmbushur këtë detyrim. Përpjekjet për të zgjidhur çështjen përmes sindikatës, ndërhyrjes së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë dhe vendimeve gjyqësore, kanë rezultuar pa sukses. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës mbetet e heshtur.
Albina Gërxhaliu, ish-punonjëse e Ambasadës së Kosovës në Itali, ka ngritur një çështje që nxjerrë në pah mosrespektimin e të drejtave themelore të punëtorëve nga përfaqësitë diplomatike kosovare. Madje, edhe mosrespektimin e vendimeve të institucioneve italiane nga ana e atyre të Kosovës. Ajo pretendon se pas 13 vitesh punë të përkushtuar, ambasada nuk ia ka dhënë kompensimin përfundimtar (TFR) që i takon sipas ligjit italian, një shumë që sipas vendimit të gjykatës italiane të Romës arrin mbi 10 mijë euro. Pavarësisht urdhrave të qarta të gjykatës dhe përpjekjeve përmes sindikatës dhe institucioneve italiane, Ambasada e Kosovës në Itali nuk ka zbatuar ende këtë detyrim.
Në fund të vitit të kaluar, ajo ka dhënë dorëheqje vullnetare nga ambasada. Fillimisht, ka filluar punën në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Itali si praktikante që në ditët e para të themelimit të saj, në vitin 2010. Pas një konkursi publik për rekrutimin e stafit civil/lokal në ambasadë, ka aplikuar dhe ka fituar vendin e punës.
Në shkurt të vitit 2011 është punësuar me kontratë të rregullt, duke nënshkruar rregulloren e punës që rregullon të drejtat dhe detyrimet e stafit civil/lokal të çdo misioni diplomatik në territorin italian. Kjo rregullore është e detyrueshme për të gjitha ambasadat dhe konsullatat në Itali, të cilat duhet të respektojnë kushtet bazë përmes një Note Verbale nga autoritetet italiane. Rregullorja për Misionet Diplomatike të Kosovës që rregullon çështjet e stafit civil/lokal përcakton se ky staf i nënshtrohet legjislacionit vendor, që në rastin e saj është legjislacioni italian.
Ambasada ka nënshkruar një marrëveshje për të respektuar të gjitha detyrimet financiare ndaj stafit civil/lokal bazuar në këtë legjislacion, përfshirë pagesën e Trattamento di Fine Rapporto (TFR) – shpërblimi përfundimtar që bazohet në një përqindje të mbajtur nga paga mujore për 13 vite. Të gjitha detyrimet financiare janë zbatuar, përveç pagës përfundimtare (TFR), e cila është mbajtur nga paga saj mujore ndër vite, por nuk është paguar në fund të punës.
Pavarësisht përpjekjeve të saj për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë institucionale, përmes sindikatës dhe ndërhyrjes së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, e cila, siç ka mësuar Demokracia.com, i ka dërguar ambasadës një Note Verbale që i kërkonte të zgjidhte çështjen në mënyrë të drejtë, ambasada nuk dha asnjë përgjigje.
Pas një viti përpjekjesh të pasuksesshme, ajo është detyruar ta padisë Ambasadën e Kosovës.
Demokracia.com posedon një email nëpërmjet të cilit para pak muajve, ajo i është drejtuar MPJD-së, duke e shpjeguar në detaje situatën.
Nisur nga ky fakt, Demokracia.com ka kontaktuar Gërxhaliun për të mësuar nëse ajo ka marrë përgjigje nga ministria dhe për të ndarë detaje lidhur me këtë rast.
“Pavarësisht përpjekjeve të mia për të zgjidhur këtë çështje në mënyrë institucionale, përmes sindikatës dhe ndërhyrjes së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, jam detyruar të ushtroj padi ndaj Ambasadës së Kosovës, vendin tim të punës, ku kam punuar për 13 vite me përkushtim maksimal, duke kryer jo vetëm detyrat e përshkruara në kontratë, por shpesh edhe rolin e konsulles (jozyrtarisht), shoferes, kontabilistes dhe këshilltares. Kam pritur e përcjellë të gjitha qeveritë që kanë ardhur, gjithmonë me entuziazëm dhe përkushtim. Nuk e meritoj një trajtim të tillë”, ka thënë shkurt Gërxhaliu, pa dhënë detaje të tjera, duke thënë se ato janë të shkruara në emailin që ia ka dërguar MPJD-së, por ka dërguar në adresën e redaksisë edhe dy vendime të Gjykatës italiane të cilat i kanë dhënë të drejtë për kompensimin ligjor.
Vendimet e gjykatës
Sipas kësaj marrëveshjeje, Ambasada e Kosovës ishte e detyruar të respektonte atë rregullore të veçantë për misionet diplomatike, duke paguar edhe shpërblimin përfundimtar (TFR), i cili përfaqëson një përqindje të mbajtur nga paga mujore për çdo vit shërbimi. Pas një periudhe njëvjeçare, gjatë së cilës Gërxhaliu pretendon se ambasada refuzoi t’i përgjigjej kërkesës së saj për pagesë, ajo iu drejtua gjykatës italiane për detyrimin e Ambasadës së Kosovës që t’i kryejë pagesat e kërkuara. Gjykata e Romës konfirmoi se ambasada ishte përgjegjëse për pagesën e shumës së mbajtur nga paga e saj ndër vite, duke dënuar ambasadën për mosrespektim të detyrimeve financiare dhe duke urdhëruar kompensimin për vonesat. Pra, gjykatësi, pasi shqyrtoi kërkesën për urdhër për detyrim të dorëzuar nga Albina Gërxhaliu dhe konstatoi që kredia rezulton e sigurt, e likuiduar dhe e ekzekutueshme, urdhëron Ambasadën e Republikës së Kosovës të kryejë pagesat e mëposhtme menjëherë ndaj palës kërkuese.
Vendimi gjyqësor:
GJYKATA E RREGULLT E ROMËS URDHËR EKZEKUTIV TELEMATIK I PËRKOHSHËM
Gjykatësja Daniela Bracci,
Duke shqyrtuar kërkesën për lëshimin e një urdhri ekzekutiv të paraqitur nga Albina Gerxhaliu dhe pasi ka konstatuar se nga dokumentet e dorëzuara kërkesa është e bazuar, me vlerë të caktuar dhe e ekzekutueshme;
duke marrë parasysh që janë plotësuar kushtet e përcaktuara në nenin 633 e vijues të Kodit të Procedurës Civile;
duke marrë parasysh më tej që ekzistojnë arsyet për të kërkuar pagesën pa vonesë, sipas nenit 642 të Kodit të Procedurës Civile; URDHËRON
AMBASADËN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
që të paguajë menjëherë për palën kërkuese për shkak të pretendimeve të përmendura në kërkesë:
VËREJTJE
Debitori i urdhëruar ka të drejtë të paraqesë kundërshtim ndaj këtij urdhri brenda afatit prej dyzet ditësh nga njoftimi dhe në rast të moskundërshtimit, urdhri do të bëhet përfundimtar.
Lejohet ekzekutimi i menjëhershëm.
Vendosur në Romë, më 05/02/2024
Gjykatësja
Daniela Bracci
Më pas ambasada e ka apeluar vendimin. Por, gjykata e ka hedhur poshtë, duke lëshuar vendimin përfundimtar:
GJYKATA E ROMËS – SEKSIONI I TRETË PËR ÇËSHTJE PUNE, REPUBLIKA E ITALISË
Në emër të popullit italian
Detajet e Gjykatës:
Palët në Çështje:
o Përfaqësuar dhe mbrojtur nga: Avv. Alessandro Diotallevi dhe Avv. Alberto Polini
o Përfaqësuar dhe mbrojtur nga: Avv. Gabriella Pasquinelli
Objekti:
DISPOZITIVI:
Vendim përfundimtar me refuzimin e kundërshtimeve:
tashmë i ekzekutueshëm.
OBJEKTI I PROCESIT, KËRKESAT E PARASHTRUARA, KUNDËRSHTIMET E PARASHIKUARA DHE ARSYET E VENDIMIT:
Gerxhaliu i drejtohet Gervallës, përshkruan situatën në detaje
Përkundër këtij vendimi, ambasada vazhdon të mos zbatojë urdhrin e gjykatës, duke mos ofruar asnjë koment publik mbi këtë çështje
Ajo më 15 korrik 2024 i është drejtuar Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gervallës.
Në mesazhin e saj shprehet se ndjen një keqtrajtim të rëndë dhe mosvlerësim për punën e saj shumëvjeçare, duke i kërkuar Gërvallës që të ndërhyjë për ta vendosur ligjshmërinë.
“Kërkoj nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës të ndërhyjë menjëherë për të garantuar pagesën e TFR-së dhe për të hetuar veprimet e Ambasadës. Është thelbësore që Kosova të tregojë respekt të rreptë për ligjet ndërkombëtare dhe lokale, duke mbrojtur të drejtat e punonjësve të saj dhe duke ruajtur një reputacion të ndershmërisë dhe integritetit. Jam në dispozicionin tuaj për të dhënë detaje të mëtejshme dhe dokumentacion përkatës. Besoj në vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje dhe në mbështetjen tuaj për ta zgjidhur këtë situatë në mënyrë të drejtë dhe të shpejtë. Duke ju falënderuar paraprakisht, ju dërgoj përshëndetje të përzemërta”, thuhet mes tjerash në këtë email.
Gërvalla i rikthyer një përgjigje ditën e njëjtë.
“E nderuar znj. Gërxhaliu, Ju falënderoj që më keni përfshirë në këtë komunikim. Patjetër do t’i shoh të gjitha detajet dhe do t’ju kontaktojmë, me qëllim që çështja të zgjidhet urgjentisht konform ligjeve italiane dhe atyre të Republikës së Kosovës. Me nderime, Donika Gërvalla”, thuhet në ketë email. Por, përkunder kësaj, nuk ka pasur asnjë levizje.
Në këtë përplasje mes institucioneve, qëndrimet e Ambasades në Itali dhe Ministrisë së Gërvallës ngjallin dyshime të mëdha për kohezionin dhe respektimin e autoritetit të institucioneve kosovare.
Ambasadore e Kosovës në Itali është Nita Shala.