Ambasada e SHBA në Prishtinë: Takimi Kosovë-Serbi mbahet këtë javë në Bruksel, merr pjesë edhe një zyrtar amerikan - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ambasada e SHBA në Prishtinë: Takimi Kosovë-Serbi mbahet këtë javë në Bruksel, merr pjesë edhe një zyrtar amerikan

    Insajderi
    27 September 2021 - 21:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë janë aktivizuar në kërkim të një zgjidhjeje për krizën në veri të Kosovës pas vendimit të Qeverisë Kurti për vendosjen e reciprocitetit për targa. E për këtë çështje pritet të mbahet edhe një takim në Bruksel, ku do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi amerikan, Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretar i Departamentit të Shtetit.

    Në një përgjigje Ambasada Amerikane në Prishtinë ka thënë se janë të kënaqur që Kosova e Serbia janë dakorduar për t’u takuar në Bruksel.

    “Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe inkurajojmë të dyja palët që të ri-angazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në këto diskutime”, ka thënë një zëdhës i Ambasadës Amerikane në Prishtinë për Gazetën Online Reporteri.net

    Tutje Ambasada Amerikane në Prishtinë u ka bërë thirrje dy vendeve për t’u rikthyer në dialogun e lehtësuar nga BE.

    “Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të adresuar menjëherë këto çështje, duke përfshirë efektet në sektorin e energjisë dhe ekonominë më të gjerë që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Shtetet e Bashkuara nuk kanë një recetë se si të trajtohen këto tema; kjo u takon palëve për të diskutuar”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA në Prishtinë.

    Në një përgjigje për Reporteri.net gjatë ditës, Qeveria e Kosovës e ka pohuar se do të ketë takim së shpejti në Bruksel, por duke shtuar se ende nuk është konfirmuar dita e takimit.

    “Duket se do ketë takim së shpejti. Po ende nuk është konfirmu përfundimisht dita”, thuhej në përgjigjen e Qeverisë për Reporteri.net.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark