×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasada e SHBA në Serbi: Rasti Bytyqi kusht për marrëdhëniet bilaterale

    Insajderi
    08 July 2021 - 11:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ambasada amerikane në Beograd ka kumtuar se drejtësia për vëllezërit Bytyqi dhe për familjen e tyre, si dhe përgjegjësia e atyre të cilët kanë kryer dhe fshehur vrasjen e tyre mbetet një nga prioritetet për marrëdhëniet bilaterale në mes SHBA dhe Serbisë.

    Ambasada e tha këtë me rastin e 22 vjetorit të zhdukjes së tre amerikanëve me prejardhje nga Kosova derisa ishin në paraburgim, dhe më vonë trupat e tyre u gjetën në Petrovo Selo afër Beogradit.

    “Ne nuk mund – dhe nuk do ta harrojmë këtë krim. Drejtësia për vëllezërit Bytyqi dhe familjet e tyre dhe përgjegjësia e atyre që kryen dhe fshehën vrasjen e tyre, mbetet një nga përparësitë në marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë”, shkruan Ambasada e SHBA në kumtesën e saj.

    Qeveria e SHBA përsëri u bën thirrje autoriteteve serbe, të cilat, kanë premtuar ndihmë në lidhje me këtë çështje për vite, të kryejnë hetimet serioze e të plota.

    Ky rast, si shumë të tjerë, tregon nevojën urgjente që Serbia të zgjidhë hetimet e papërfunduara të krimeve të luftës dhe t’i përkushtohet forcimit të shtetit ligjor, përfundon Ambasada në kumtesë.

    Ilir, Agron dhe Mehmet Bytyqi janë shtetas amerikanë me prejardhje nga Kosova që u bashkuan me Brigadën Atlantiku të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

    Askush ende nuk është akuzuar për vrasjen e tyre dhe dy oficerë policie të cilët u gjykuan për heqjen e tyre të paligjshme të lirisë u liruan nga akuzat në vitin 2013./Insajderi.org.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark