“Nevojitet urgjentisht qasje konstruktive për shkak të gjendjes së brishtë në Veri të Kosovë, dhe asaj nuk duhet t’i vendosen parakushte”, ka thënë Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë në një përgjigje për Insajderin, pyetur se si i vlerëson ambasadori gjerman Jorn Rohde zhvillimet e fundit në vend lidhje me çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kjo pasi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur në Kuvendin e Kosovës, tha se Asociacioni është i zbatueshëm vetëm pas përmbushjes së “gjashtë kushteve” nga Serbia, e që zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, i quajti madje edhe “parakushte”.
Zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë, Sebastian Leuschner, për Insajderin tha se “për Kosovën një pjesë e rëndësishme e marrëveshjeve është të zbatojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe të pajtuar më 2013/2015”.
“Marrëveshjet paraprake duhet të zbatohen nga Kosova dhe Serbia”, tha ai.
Pyetur se a ka marrë ftesë ambasadori gjerman, Rohde, në takimin e thirrur nga ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në lidhje me bisedimet për Asociociacinin, zëdhënësi e konfirmon një gjë të tillë.
“Ambasadori gjerman ka marrë ftesë dhe është përfaqësuar nga zv/ambasadori gjerman”, tha Leuschnes.
“Gjermania mbështet Dialogun e udhëhequr nga BE përmes Përfaqësuesit Special, Miroslav Lajçak. Propozimi i BE-së, bazuar në iniciativën franko-gjermane, është mundësi historike që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët. Plani synon që marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës t’i vendos mbi një bazë të re”.
“Iniciativa [franko-gjermane] është një mundësi unike për përparim madhor mbi këtë çështje, e cila e ka mbajtur mbrapa Kosovën edhe politikisht edhe ekonomikisht për shumë vite tashmë”, tha Leuschner.
Gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin
Kushti i parë është që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës, tha Albin Kurti javën e kaluar.
Kushti i dytë i Kurtit është që Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, të ndërrojë emrin, të mos ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale.
I treti që të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane
Kushti katër që para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i armëve ilegale.
I pesti që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe të zbatohet pas njohjes reciproke; dhe atë vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
Dhe kushti i fundit që presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjejes së 19 prillit 2013./Insajderi/