Ambasadorët kërkojnë guxim të të gjithë shoqërisë për luftimin e korrupsionit – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadorët kërkojnë guxim të të gjithë shoqërisë për luftimin e korrupsionit

    Insajderi
    05 December 2016 - 13:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ambasadorët e pesë vendeve më të zhvilluara, të njohur si QUINT, u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës, në veçanti sistemit të drejtësisë në vend, që të fuqizojnë luftën kundër korrupsionit.

    Thirrjet e ambasadorëve të vendeve përkrahëse të Kosovës, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë e Italisë, u bënë në kuadër të hapjes zyrtare të Javës kundër korrupsionit në Kosovë.

    Duke e vlerësuar paraqitjen e përbashkët të përfaqësuesve në Kosovë të vendeve të QUINT-it, ambasadori i SHBA-së, Greg Dellawie, tha se “rëndësia e luftimit të korrupsionit mbetet tek qytetarët e Kosovës”.

    Sipas tij, “sondazhet tregojnë se qytetarët e Kosovës nuk kanë besim në drejtësinë e gjyqësorit”.

    Ambasadori tha se “ambasada që përfaqëson po punon ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë dhe me institucionet e tjera për të hartuar një ligj me të cilin do të forcohen kapacitetet e Zyrës së Prokurorit Disiplinor, si një komponentë thelbësore për të rikthyer besimin në sistemin e drejtësisë dhe për të ndihmuar gjyqtarët dhe prokurorët që të veprojnë me përgjegjësi”.

    Përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Kosovë thanë se janë të vetëdijshëm për praninë e korrupsionit në Kosovë.

    Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, tha se korrupsioni është një kancer për Kosovën dhe se po minon të ardhmen e këtij vendi.

    “Mos të pretendojë askush që bashkësia ndërkombëtare nuk është e interesuar që të luftojë korrupsionin. Prania e ambasadorëve këtu është një shenjë e qartë që ne jemi të interesuar dhe jemi të shqetësuar për nivelin e korrupsionit, por që duhet më shumë angazhim, më shumë energji dhe guxim të zyrtarëve, të qytetarëve, të shoqërisë civile, të medias për të kërkuar një ndryshim në shoqëri”, tha ai.

    Ambasadori britanik tha se “është i bindur se Kosova mund t’i bëjë këto ndryshime”.

    Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, tha se “ambasada është e përqendruar në tërheqjen e investimeve në Kosovë dhe për këtë arsye lufta kundër korrupsionit është me rëndësi”.

    Sipas saj “korrupsioni ndikon tek mungesa e ofrimit të shërbimeve gjyqësore tek qytetarët dhe në përgjithësi krijon mungesë të besimit si rezultat dhe mungesë të efikasitetit”.

    Ajo tha se “Qeveria duhet të ofrojë shërbime sa më të mira, me një sistem efikas dhe transparent ndaj publikut”.

    Shkalla e lartë e korrupsionit dhe e krimit të organizuar, janë theksuar në pothuaj të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian, si dhe në raportet hulumtuese të organizatave ndërkombëtare e vendore, si “një prej problemeve më të mëdha të zhvillimit të Kosovës”.

    Organizata Transparency International, në një raport të saj të fundit për shkallën e korrupsionit në nivel global, e ka radhitur Kosovën në mesin e vendeve më të korruptuara. (REL)


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark