Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tregoi se data 18 prill është afati për caktimin e grupit të përbashkët monitorues për zbatimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi.
Bislimi tha se ideale do të ishte që kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, të mos jenë pjesë e këtij grupi, por të jenë përfaqësues të tjerë.
Ai theksoi se Kosova tashmë e ka dërguar propozimin e saj, dhe se ai është ambasadori i Kosovës, në Bruksel, Agron Bajrami.
“Kemi dërgu nominimin tonë për këtë pozicion, dhe presim që para takimit të radhës, që BE ta vendos strukturën menaxhuese të grupit të përbashkët monitorues. Pala Kosovare e ka emrin e vet të personit. E kemi nominuar ambasadorin Agron Bajramin, i cili është i informuar, i përfshirë, dhe i ka kapacitetet dhe shkathtësitë humane që ta përfaqësojë Kosovën në mënyrë të dinjitetshme në atë grup punues”, ka thënë Bislimi për Zërin e Amerikës.
Kundër idesë së Kosovës, sipas Bislimit është Serbia, të cilët janë të mendimit se kryenegociatorët të jenë pjesë edhe e grupit punues.