Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në korrik të vitit të kaluar nënshkroi kontratë për blerjen e një objekti për nevoja të ambasadës së Kosovës në SHBA, me qellim të kryerjes së shërbimeve diplomatike atje. Objekti figuron të jetë në Massachusetts të Washingtonit, kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara, ndërkaq kostoja e blerjes 4,5 milionë dollarë. Po ashtu, ambasadës së Kosovës atje i janë kërkuar 100 mijë dollarë për depozitim.
Gazeta Insajderi e ka siguruar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kontratën për objektin në fjalë, pas një muaji pasi kërkoi qasje në kontratën në fjalë. Sipas detajeve të kontratës, pronari i shtëpisë deri në momentin e blerjes figuron një person me emrin Hashim Hassan.
Në rregullat e përgjithshme të kontratës, përveç dakordimit për çështje të financave, shitësit i kërkohet ta mbyllë një pjesë të katit të dytë, me qëllim që ta nxjerrë edhe një zyrë të veçantë.
Në planin e bashkëngjitur të tashmë objektit të ambasadës së Kosovës në SHBA, figurojnë tre kate dhe një bodrum.
Në katin e parë të planit të objektit figurojnë mes tjerash dy dhoma qëndrimi, tarraca dhe një garazh për dy vetura. Kati i dytë ka të ndara katër dhoma gjumi dhe një dhomë qëndrimi. Kati i tretë, një hapësirë e konsiderueshme është tarracë.
Përveç tjerash, në kontratë përfshihen edhe pajisjet dhe instalimet përbrenda objektit. Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, duket se në objektin në fjalë e ‘shijon’ luksin, ku në pajisjet poseduese të shtëpisë figuron edhe frigoriferi për verë.
Insajderi ka pyetur MPJD-në se për çfarë arsye objekti në fjalë nuk është paraqitur në raportin vjetor financiar, teksa të njëjtit kanë shtuar se kontratat e realizuara nga misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës nuk mund të realizohen në platformën elektronike.
“Sa i përket pyetjes suaj se “sipas Zyrës Kombëtare të Auditorit nuk janë paraqitur në raportin vjetor financiar të MPJD-së”, ju bëjmë të ditur se të gjitha këto kontrata janë realizuar duke u bazuar ne Ligjin nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092. Kontratat e realizuara nga misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës nuk mund të realizohen në platformën elektronike, dhe për rrjedhojë nuk mund të barten në raportin e kontratave të nënshkruara të Prokurimit. Gjithsesi, është duke u punuar që në të ardhmen të realizohet një raport i veçantë edhe për kontratat të cilat realizohen nga këto misione”, u tha në përgjigjen e MPJD-së.
Zyra Kombëtare e Audimit në raportin e fundit të përformancës për MPJD-në ka bërë me me dije se përgjatë analizimit të raportit të kontratave të nënshkruara nga MPJD-ja, nuk ishte i plotë pasi që nuk ishin prezantuar blerja e ambasadës së SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Sipas tyre, identifikimi është bërë nga testimi i pagesave që ishin kryer për këtë ambasadë.
Për ambasadorin e Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, është raportuar se ka shkelur Udhëzimin Administrativ për vlerat e lejuara për qira për objektet e banimit të të dërguarve diplomatikë në shtetet e huaja.
Sipas raportimeve, ambasadori Dugolli paguante për qira mujore 3,743 euro, 1,343 euro më shumë sesa sa e lejonte udhëzimi administrativ. /Insajderi.org/