
Me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit, ai u bë edhe ambasador. Të mirat e së kaluarës iu kthyen me titullin ambasador, por Martin Berisha, i cili u zgjodh ambasador i Kosovës në Kroaci ka probleme elementare me shkrimin e gjuhës shqipe, shkruan Gazeta Insajderi.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berisha ka bërë dhjetëra gabime drejtshkrimore në një postim në Facebook. Kjo nuk i falet një ambasadori.
Gazeta Insajderi ka identifikuar gabime elementare ku Martin Berisha, i cili është edhe autorë librash, ka shkruar fjalë me shkronja serbe. Në mesin e gabimeve janë edhe fjalë të shkruar gabim si: vëndi, vërtetes, arrijtën, sespse etj.
Këto janë gabimet në postimin e Ambasadorit Martin Berisha:
Në kohën kur ai ishte propozuar për ambasador, në media u raportua se i propozuari për ambasador të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka shumë shtetësi.
Në fillim e kishte shtetësinë malazeze. Më pas e mori edhe atë sllovene. Bëri përvojë me shtetësitë dhe shkroi librin “Identiteti dhe shtetësia”. Ndërsa, në vitin 2021, pak para se të propozohej për ambasador të Kosovës në Kroaci, e mori edhe shtetësinë kosovare me dekret të presidentes Osmani.
Berishaj nuk ishte as kosovar kur i lakohej emri për ambasador të Kosovës. Ai ishte vetëm një anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, që i kishte ardhur koha t’i ktheheshin “disa të mira” të së kaluarës.
Martin Berishaj përfundoi shkollën fillore dhe të mesme në Tuz të Malit të Zi, e pastaj aplikoi për studime në Fakultetin e Shkencave Sociale në Lubjanë, Slloveni, ku mbaroi studimet me nderime në vitin 1984.
Në Fakultetin e Arteve në Lubjanë mori titullin Master dhe Doktor, teksa së bashku me disertacionin e doktoratës botoi librin e titulluar “Fuqia e fshehur e Besës”. Deri më tani ka botuar pesë monografi dhe shumë artikuj ekspertësh.
Lëvizja Vetëvendosje nuk është angazhimi i parë partiak i Berishaj, duke qenë se ishte kryetar i partisë së parë politike shqiptare në Slloveni “Bashkimi Demokratik i Kosovës” që gjithashtu mori pjesë në zgjedhjet parlamentare sllovene në vitin 1990./Gazeta Insajderi/