Shqiptarët e kanë vendosur kombin përpara fesë dhe se Shqipëria është vetëm një fqinj për Kosovën, sipas Ambasadorës së Kosovës në Kroaci, Shkëndije Geci-Sherifi.
Në një intervistë me gazetën kroate Vecernji, e cila do të jetë e fundit për të si ambasadore, Geci-Sherifi ka thënë se Republika e Kosovës do të mbetet shtet laik pavarësisht numrit të madh të shqiptarëve të Kosovës që kanë luftuar në Siri.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton Republikën laike dhe duke e ditur se në Kosovë praktikojnë islamin tradicional, jam plotësisht i bindur se laiciteti në Kosovë nuk do të vihet në pikëpyetje asnjëherë. Shqiptarët historikisht e kanë vdenosur kombin përpara fesë. Përveç kësaj, ne jemi një komb që shërben si model për tolerancë fetare, nëse merret parasysh se ne kemi të pranishëm tri fe të ndryshme në kombin tonë: myslimane, katolike dhe ortodokse”, ka thënë Geci-Shereifi për Vecernji.hr, njofton Insajderi.
Më tutje, Ambasadorja kosovare u pyet rreth bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Geci-Sherifi u tërhoq nga teza për “Shqipërinë e Madhe”, duke thënë se bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në Bashkimin Evropian.
“Republika e Kosovës e konsideron Republikën e Shqipërisë si fqinj, vend me të cilin ndan një marrëdhënie të veçantë dhe ka marrëdhënie të përgjithshme bilaterale. Të dyja e shohim të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian së bashku me vendet e tjera të rajonit, si pjesë e familjes së madhe evropiane”, ka thënë ajo.
Geci-Sherifi më parë ka shërbyer për katër vjet si Ambasadore e Kosovës në Hungari, derisa ka edhe pak muaj të mbetur deri në përfundimin e mandatit të saj si Ambasadore në Kroaci. /Insajderi.com