Ambasadorja e Greqisë në Serbi, Maria Levanti, ka deklaruar se qëndrimi i vendit që e përfaqëson lidhur me pavarësinë e Kosovës mbetet i pandryshuar.
Kështu është shprehur ajo në një intervistë dhënë mediumit serb “Politika”.
“Qëndrimi i Greqisë për çështjen e mosnjohjes së Kosovës mbetet i pandryshuar, siç u përsërit nga presidenti i republikës dhe kryeministri gjatë vizitave të fundit në Serbi. Për më tepër, Greqia me gjithë zemër dhe me të gjitha forcat e saj mbështet synimin strategjik të Serbisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka folur për integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për çka ka thënë se ky proces karakterizohet nga respektimi i disa kritereve të meritokracisë.
“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian karakterizohet nga respektimi i disa kritereve të meritokracisë, të cilat përfshijnë respektimin e shtetit ligjor, ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore etj. Besoj se nuk mund të flasim për një krizë të re, ndoshta për ekzistencën e disa mosmarrëveshjeve të përkohshme për shkak të përdorimit të fjalës dhe parullave nacionaliste nga aktorë të caktuar politikë në rajon. Në përgjithësi, megjithatë, jam e bindur se të gjitha këto çështje do të rregullohen, veçanërisht për sa kohë që vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të përkushtuara ndaj synimit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe e ndjekin këtë rrugë me seriozitet dhe përgjegjësi”, është shprehur ajo.