Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja Jugore kanë arritur një marrëveshje për vendosjen e një sistemi mbrojtës kundër raketave, në kohën kur kërcënimet nga Koreja Veriore janë intensifikuar.
Sistemi mbrojtës raketor do të vendoset vetëm për t’iu kundërvënë sulmeve nga Koreja e Veriut, thuhet në një komunikatë për media, njofton BBC.
Aktualisht është e paqartë se ku do të vendosen këto raketa dhe kush do t’i ketë nën kontroll.
Ndaj këtij plani kanë ardhur kundërshti edhe nga Kina, që ka dërguar ankesa tek të dërguarit e këtyre shteteve.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës, kjo marrëveshje do të dëmtojë paqen e stabilitetin në rajon.
Shtetet e Bashkuara, për herë të parë kanë vendosur sanksione ndaj liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duke e akuzuar atë dhe 10 zyrtarë të tjerë të këtij shteti për abuzime të rënda me të drejtat e njeriut
Sanksionet shihen si përpjekja e fundit për të shtuar presionin ndaj këtij regjimi, ndonëse ende nuk është e qartë se çfarë saktë pritet të arrihet me këto sanksione
Vendimi është marrë pas publikimit të një raporti të Departamentit të Shtetit ku Kim akuzohet se është përfshirë në vrasje pa vendime gjyqësore, punë të detyruar dhe tortura.
Por, të enjten, Koreja Veriore ka thënë se sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kim Jong Un janë “thirrje për luftë”.
Veprimi i Amerikës është cilësuar nga Ministria e Jashtme e këtij vendi si akt armiqësor./Insajderi.com