
Qendërmbrojtësi i Napolit dhe kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ka pësuar një lëndim të ri gjatë stërvitjes së djeshme, duke bërë që të mungojë në ndeshjet e kombëtares së Kosovës gjatë muajit tetor.
Sipas mediave italiane, konkretisht “Corriere del Mezzogiorno”, lëndimi i Rrahmanit do ta detyrojë atë të mungojë jo vetëm në ndeshjen e ardhshme të Napolit, por edhe në përballjet me Kosovën.
Parashikimet e para tregojnë se, duke marrë parasysh shkallën e lëndimit, ai pritet të rikthehet në fushë më 18 tetor për ndeshjen ndaj Torinos.
Amir Rrahmani sapo kishte rikthyer stërvitjet pasi ishte lënduar pothuajse një muaj më parë në ndeshjen mes Kosovës dhe Zvicrës më 5 shtator. Ky lëndim i ri pritet t’i pamundësojë pjesëmarrjen e tij në ndeshjet e rëndësishme për kombëtaren gjatë muajit tetor.