Analisti i njohur për qëndrimet e forta pro Albin Kurtit, Sadri Ramabaja, ka thënë se është i të njejtit mendim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për raportin mes Kosovës dhe Serbisë, se gjërat mes dy shteteve po ecin ngadalë por në drejtimin e duhur.
“Fakti që diplomacia është vënë në lëvizje dhe plani franko-gjerman është pranuar nga dy krerët e shteteve, i jep të drejtë Kryeministri shqiptar se gjërat kanë filluar të lëvizin në drejtimin e duhur”, tha Ramabaja.
Tutje, Ramabaja tha se nuk e sheh Kosovën si Republikë të përjetshme, por, si pjesë të Federatës Shqiptare.
“Në dhjetor do të ishte ideale që kërcënimin për luftë dhe marshimin në kufijtë e Kosovës, ta kthente në pikë kryesore të rendit të ditës. Veriu i Kosovës, është pjesë e hapësirës nacionale. Nuk e shoh Kosovën si Republikë të përjetshme dhe nesër fare lehtë mund të jetë pjesë e Federatës Shqiptare, ndaj pres më shumë nga politika shqiptare”, u shpreh ai.
Kujtojmë se, rreth dy javë më parë u bë e ditur se anëtari i Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja kishte fituar një grant prej 5-6 mijë eurove nga Kryeministria e Kosovës për portalin e tij. Por, del se ky portal ka funksionuar vetëm për një ditë gjatë këtij viti.
Portali i quajtur “Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë” drejtohet nga analisti Ramabaja.