Luljeta Aliu – Krasniqi, analistja e cila mbronte krahun e pushtetit, është zgjedhur me 48 vota për anëtare e Komisionit të Pavarur për Media.
Aliu – Krasniqi u votua përgjatë seancës së sotme parlamentare, ku edhe ishte në rend të ditës votimi i tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, shkruan Gazeta Insajderi.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka për detyrë rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, pati reaguar për afërsinë e kandidatëve për anëtarë të KPM-së me LVV-në.
“Kuvendi i Kosovës pritet që sot të zgjedhë tre anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave. Jam thellësisht i shqetësuar të dëgjoj që partia që udhëheq në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, do të zgjedhë persona që janë përkrahës të kësaj partie”, pati thënë Gutierrez. /Insajderi.org/