Qëkur Izraeli e aktivizoi “Kupolën e Hekurt” në vitin 2011, sistemi i mbrojtjes ka kapur mijëra raketa të lëshuara nga Rripi i Gazës. Sistemi u ka dhënë banorëve një ndjenjë sigurie, por lufta aktuale me grupin militant Hamas të Gazës mund të jetë sfida më e madhe deri më tani.
Sipas ushtrisë izraelite, në vetëm dy javë, Hamasi ka lëshuar 7 mijë raketa në drejtim të Izraelit. Kjo është më shumë se katër luftërat e mëparshme të zhvilluara midis Izraelit dhe Hamasit, qëkur grupi militant mori pushtetin në Gaza në vitin 2007.
Sipas të dhënave nga Akademia Amerikane Ushtarake, vetëm më 7 tetor, ditën e parë të luftimeve, Hamasi ka lëshuar të paktën 2 mijë raketa. Grupi militant i Hezbollahut libanez ka lëshuar gjithashtu qindra raketa përgjatë frontit verior të Izraelit që nga fillimi i luftimeve.Shumica e raketave janë kapur. Por disa kanë arritur të depërtojnë, duke lënë të vdekur të paktën 11 njerëz dhe duke goditur ndërtesa deri në Tel Aviv.
Si funksionon “Kupola e Hekurt” ?
“Kupola e Hekurt” është një seri baterish që përdorin radarë për t’i zbuluar dhe kapur raketat më rreze të shkurtër veprimi. Çdo bateri ka tre ose katër lëshues, 20 predha dhe një radar, sipas “Raytheon” – gjiganti i mbrojtjes amerikane, i cili bashkëprodhon sistemin bashkë me Sistemet e Mbrojtjes “Rafael” të Izraelit.
Pasi radari detekton një raketë, sistemi përcakton nëse raketa është drejtuar drejt një zone të populluar. Nëse po, sistemi lëshon një predhë për ta kapur dhe shkatërruar raketën sulmuese. Nëse sistemi përcakton se raketa është drejtuar në një zonë të hapur ose në det, ajo lejohet të ulet, duke “kursyer” predhat. Sipas ushtrisë, të gjitha këto ndërhyrje ndodhin në hapësirën ajrore izraelite.
Ushtria nuk pranoi të komentojë se sa bateri nga “Kupola e Hekurt” janë aktualisht në funksion. Por që nga viti 2021, Izraeli kishte 10 bateri të shpërndara në të gjithë vendin, secila në gjendje për të mbrojtur një territor prej 155 kilometrash katrorë, sipas “Raytheonit”.
“Kupola e Hekurt” është pjesë e një sistemi më të madh të mbrojtjes ajrore me shumë shtresa që përfshin “Shigjetën”, që kap raketat balistike me rreze të gjatë, dhe “Hoben e Davidit”, e cila kap raketat me rreze të mesme veprimi si ato që besohet se zotërohen nga Hezbollahu në Liban.
Të dyja sistemet, sikurse “Kupola e Hekurt”, u zhvilluan në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara. Izraeli po zhvillon gjithashtu një sistem me bazë laseri të quajtur “Rrezja e Hekurt”. Për të ka thënë se do të jetë në gjendje të ndalë raketa dhe kërcënime të tjera me rreze të shkurtër veprimi me kosto shumë më të ulët se “Kupola e Hekurt”. Izraeli ka thënë se ai sistem, i zhvilluar me financimin e SHBA-së, nuk është realizuar ende.
Sa efektive është “Kupola e Hekurt”?
Është afërsisht 90% efektive, sipas “Rafaelit”. Por mund të mbingarkohet nëse lëshohet breshëri masive raketash dhe disa mund të depërtojnë. Teksa ka performuar mirë deri më tani, rreziku mund të rritet nëse Hezbollahu hyn në luftë. Hezbollahu ka rreth 150 mijë raketa.
Sa i shtrenjtë është sistemi?
Çdo predhë kushton rreth 40 mijë deri 50 mijë dollarë, sipas Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare, institut kërkimor në Tel Aviv. SHBA-ja ka investuar shumë në këtë sistem, duke ndihmuar me kostot e zhvillimit dhe duke e rimbushur gjatë kohërave të luftimeve.
Presidenti Joe Biden ka thënë se do t’i kërkojë Kongresit 14.3 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin. Sipas Shtëpisë së Bardhë, shumica e kësaj do të ndihmonte me sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore.