
Kandidati për Asamblenë Komunale të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Andi Belegu, ka kritikuar ashpër idenë e kryetarit aktual të Prishtinës, Përparim Rama, për projektin e “tram-it pa shina” që do të lidhte Fushë Kosovën me kryeqytetin.
Sipas tij, prezantimi i një videoje 3D nuk përfaqëson një plan real për qytetin, por vetëm propagandë elektorale. Ai thekson se një projekt i tillë kushton dhjetëra miliona euro dhe kërkon vite të tëra për realizim, duke sjellë shembuj konkretë nga qytete evropiane.
“Një projekt i tillë kushton 60–80 milionë euro dhe përfshin rindërtim rrugësh, shpronësime, terminale dhe nënstacione energjie. Vetëm në Lund të Suedisë, 5.5 km kushtuan 140 milionë euro dhe ndërtimi zgjati tre vite. Në Karlsruhe të Gjermanisë, 2.2 km kushtuan 14 milionë euro dhe morën 20 muaj për t’u realizuar”, tha Belegu.
Ai shtoi se në Prishtinë, pa plan financiar, tender dhe procedura konkrete, një projekt i tillë nuk do të përfundonte para vitit 2029–2030.
“Qyteti ynë nuk ka nevojë për iluzione vizuele, por për flotë autobusësh modernë, të përmasave të ndryshme, që mbulojnë lagjet dhe periferitë e i shërbejnë qytetarëve çdo ditë”, theksoi Belegu, duke shtuar se Prishtina ka nevojë për transport publik funksional e jo për “mashtrime të shtrenjta që shiten si vizion”.