
Kandidati për Asamblenë e Prishtinës nga PDK, Andi Belegu, me numër 50, ka prezantuar vizionin e tij për rikthimin e Pallatit të Rinisë, një nga qendrat e para moderne në Kosovë dhe vend i kujtimeve të shumta për qytetarët e kryeqytetit.
Belegu ka kujtuar se Pallati ka qenë vendi i koncertit të parë, i lojërave të basketbollit, ekspozitave dhe ëmbëlsirave të famshme të Elidës, që e bënin çdo ditë të veçantë për brezat e kaluar.
“Çdo brez ka historinë e vet që lidhet me këtë pallat, nga kryengritja e deri tek emancipimi”, ka thënë Belegu.
Sot, Pallati i Rinisë është i harruar dhe i lodhur, por vizioni i Belegut është ta kthejë atë në një kampus modern 24/7 për teknologji dhe kulturë, një hapësirë ku rinia e Prishtinës mund të krijojë kujtime të reja, ashtu si dikur. Ai e sheh Pallatin si një qendër që nuk fle kurrë, ku arti, muzika, inovacioni dhe rinia takohen për të krijuar të ardhmen e qytetit.