
Të akuzuarve Andi Pajaziti Ardi Pajaziti, Pëllumb Halimaj dhe Lum Halimaj, iu është parashkruar vepra penale “Lëndim i lehtë trupor” për akuzën e rrahjes me katër të dëmtuar në prill të vitit 2017 në Prishtinë. Kurse, për akuzën se kishte shtënë me armë në atë rast, Andi Pajaziti u deklarua i pafajshëm.
Andi Pajaziti është i akuzuar edhe për vrasjen e K.R., më 4 gusht 2023, në lokalin “Bon Vivant”, por për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2025 e ka liruar nga akuza për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, kurse e dënoi me dy vite burgim për armëmbajtje pa leje.
Deklarimin rreth fajësisë, Pajaziti e bëri në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Dardan Qela.
“Jam plotësisht i pafajshëm dhe nuk kam të bëj asgjë me këtë rast”, tha Pajaziti.
Gjyqtari Blerim Halimi njoftoi palët lidhur me afatin për parashtrim të kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Në seancë, gjykatësi Halimi tha se për shkak të parashkrimit të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, lënda do të vazhdojë për Andi Pajazitin për pikën e dytë të aktakuzës “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.
“Të pandehurve Andi Pajaziti, Ardi Pajaziti, Pëllumb Halimaj dhe Lum Halimaj ju është parashkruar vepra lëndim i lehtë trupor, ka arritur afatin e parashkrimit absolut, ndërsa lënda vazhdon për të pandehurin Andi Pajaziti për veprën penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, tha gjyqtari Halimi.