Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të dyshuarit Andi Pajaziti, i cili dyshohet për vrasjen e ndodhur më 4 gusht 2023, në lokalin “Bon Vivant”.
Këtë për Insajderin e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Gashi konfirmoi se të dyshuarit Pajaziti masa i është vazhduar deri më 4 maj 2024.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit A.P., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 04.03.2024 ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit A.P iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj. Masa e paraburgimit të njëjtit i llogaritet prej datës 05.03.2024 deri me datën 04.05.2024”, tha ajo për Insajderin.