
Ndërkombëtarët duhet ta kushtëzojnë Serbinë për hapjen e arkivave, tha Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti. Kjo në mënyrë që të sigurohet informacionet e sakta mbi zbardhjen e fatit të të pagjeturve, tha ai.
“Më 27 shkurt në takimin në Bruksel, çështja e personave të zhdukur ka qenë në nenin 6, ka qenë insistimi im që në aneks të ketë afate kohore dhe të ketë nen të veçantë për fatin e të pagjeturve. Afatet kohore Serbia i ka refuzuar kategorikisht, unë nuk i besoj Serbisë, kam arsye të mjaftueshme të mos i besoj Serbisë”, ka thënë Hoti në Tv Dukagjini.
“Faktori ndërkombëtar duhet ta kushtëzojë Serbinë t’i hapë arkivat e saj, arkivat e klasifikuara të Serbisë, urdhërat shtetërorë, kërkojmë ato që i ka bërë përmes policisë dhe ushtrisë së saj, që të na çojnë në informacione të sakta në zbardhjen e fatit të pagjeturve”, ka vijuar Hoti./Insajderi/