
Ministri i Shtetit të Shqipërisë për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, po merr pjesë në konferencën dyditore të organizuar nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve të Parlamentit Evropian, në Bruksel, mbi programin Willy Brandt për Zgjerimin e BE-së, ku deklaroi se Shqipëria do të anëtarësohet në BE deri në 2030-ën.
Gjatë fjalës së tij, Balla kërkoi hapjen e negociatave edhe për Kosovën, raporton ATSH, transmeton Insajderi.
“Ne do të donim shumë që çdo vend t’i niste negociatat. Gjithashtu, Kosova e meriton t’i nisë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur – sa më shpejt që ju të mundeni. Dhe ne duam shumë që edhe Maqedonia e Veriut t’i nisë negociatat,” deklaroi Balla.
Ministri Balla i dha përgjigje interesimit të eurodeputetit kroat, raportues i PE për Serbinë, Tonino Picula, mbi marrëdhëniet me SHBA pas rizgjidhjes së presidentit Trump, duke deklaruar se Shqipëria është vendi më proeuropian dhe proamerikan në Evropë.