
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportet financiare të partive politike përfaqësuese në Kuvendin e Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2025, përfshirë të dhëna mbi buxhetin, shpenzimet dhe burimet e financimit.
Në kuadër të këtij publikimi janë bërë të ditura edhe donacionet e dhëna për subjektet politike në këtë periudhë tre mujore, shkruan Insajderi. Lëvizja Vetëvendosje, si një ndër partitë më të mëdha në vend, ka pranuar gjithsej 32,100 euro donacione nga kontribuues të ndryshëm.
Lista e donatorëve përfshin qytetarë, aktivistë, biznese dhe figura të njohura të partisë.
Çka i lidh donatorët me VV-në?
Në listën e donatorëve të Lëvizjes Vetëvendosje, janë edhe zyrtarë Telekomit.
Sanije Sahiti që është këshilltare në Telekom ka dhuruar 50 euro.
Nuredin Hyseni që ka pozitë menaxheriale në këtë ndërmarrje dhe gruaja e tij Selvete Hyseni e cila është anëtare e bordit në K.R.U “Hidroregjioni Jugor”, dhuruan për partinë e VV-së po ashtu nga 50 euro.
Shpëtim Zharku që u ‘shpërblye’ nga Qeveria Kurti dhuron donacion për VV-në
Në mars të këtij viti Shpëtim Zharku u emërua në bordin e KEK-ut nga Qeveria Kurti. I njëjti në shkurt dha donacion për VV-në.
Si duket ai u tregua më duarshtrenguar duke dhuruar vetëm 30 euro.
Por, që këtë donacion nuk e ka deklaruar në regjistrin për të pasurisë.
Në bazë të dhënave të publikuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ai ka deklaruar se nuk ka dhënë donacione për ndonjë parti politike.
Insajderi ka raportuar për emërimin në Zharkut në KEK nga Qeveria.
Në bordin e KEK u vendos Shpëtim Zharkun, i cili po mban pozitë menaxheriale tash e gati më pak se dy vite.
Gjithsesi, ligji për ndërmarrjet publike parasheh që një anëtar i bordit të një ndërmarrje publike duhet të ketë së paku pesë vite përvojë në njësi të menaxhimit.
Shpëtim Zharku, u bë anëtar i këtij bordi. Në bord, gjegjësisht u emëruan: Valdrin Krasniqi, kryesues, Merita Kasapolli, anëtare, Filloretë Gashi-Sadiku, anëtare dhe Shpëtim Zharku, anëtar.
Zharku përveç pozitës në bord, ai mban edhe një pozitë tjetër në sektor publik. Atë të menaxherit të Departamentit në Menaxhimit të Regjioneve në Drejtorinë Teknike të Telekomit të Kosovës. Ai këtë pozitë të menaxherit e mban që nga korriku i 2023-ës.
Gjithsesi, emërimi i një personi me përvojë të mangët menaxheriale nuk duket se është në përputhje me ligjin për ndërmarrjet publike. Ligji për Ndërmarrjet Publike parasheh që anëtarët e bordit të një ndërmarrje publike të kenë së paku pesë vite përvojë menaxheriale në një njësi të caktuar menaxheriale.
Zharku është parë si “mbështetës” i ideve të Vetëvendosjes në të kaluarën. Siç specifikohet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje që mban datën e 29 janarit të 2019-ës, Zharku si anëtar i sindikatës së Telekomit bashkë me dy sindikalistë të tjerë mbështesnin idenë e VV’së që kundërshtonte privatizimin e ndërmarrjes publike./Insajderi.org/