×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Anëtari i komisionit që dyshohej se favorizoi një kandidate, kishte përfituar afro 50 mijë euro nga komuna e Prizrenit

    Insajderi
    12 November 2024 - 15:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi dy vite më parë kishte raportuar për anëtarin e komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave në komunën e Prizrenit, Arben Shala që dyshohet se kishte favorizuar një kandidate. Madje kemi publikuar edhe audio lidhur me këtë. Pas dy viteve, përkundër kësaj, i njëjti person është propozuar që të zgjedhet sërish anëtar i komisionit. Jo vetëm, gjatë kohës sa ishte në komision, Arben Shala është shpërblyer me afro 50 mijë nga Komuna e Prizrenit. Insajderi sjell detaje.

    Gazeta Insajderi

    Me 21 nëntor 2023, komuna e Prizrenit, kishte nënshkruar tender për “Hartimin e planit për zhvillimin e arsimit në komunën e Prizrenit”.

    Për këtë tender ishte shpërblyer operatori ekonomik “Consulting and Menagement Group” . Çmimi i përgjithshëm i kësaj kontrate kishte qenë 24.950 mijë euro.

    Në këtë kontratë nuk ka të dhëna më të detajuara për këtë operator, mirëpo bazuar numrit të telefonit, rezulton të jetë i njërit nga anëtarët e komisionit për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave. Arben Shalës, për të cilin Gazeta Insajderi kishte raportuar se dyshohet se kishte favorizuar një kandidate.

    Insajderi kishte publikuar edhe një audio ku Shala dëgjohet duke treguar se si mund të ndikojë si anëtar me disa “trika” që ndonjë kandidat të vlerësohet me pikë më shumë.

    Siç kishin reaguar opozita në Prizren Arben Shala ishte shpërblyer me subvencion 14 mijë euro për shoqatën Plan, të cilën sapo e kishte regjistruar, diku në mars të vitit 2022,  atëherë kur ishte propozuar nga Drejtoria për Arsim, në panelin përzgjedhës për drejtorë shkollash, si përfaqësues nga shoqëria civile.

    “Po ashtu Komuna e Prizrenit, vitin e kaluar në formë të subvencioneve, ia kishte ndarë rreth 14 mijë euro, organizatës joqeveritare “Plan”, udhëheqës i të cilës përsëri “rastësisht” qëllon të jetë i njejti emër që sot e përfaqëson operatorin “Consulting and Menagement Group”.

    Jo vetëm, Arben Shala duket se ka përfituar sërish 10 mijë euro subvencione në OJQ e tij PLAN nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Prizren.

    Kuvendarja e Vetëvendosjes në Prizren, Dafina Alishani, përmes një reagimi ditë më parë, ka theksuar se Qeverisja Totaj ka dhënë subvencione tek aplikuesit të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret për aplikim.

    “Eksperti i “pavarur” i qeverisjes Totaj i njohur si trikaxhiu i kësaj qeverisje Arben Shala I ka marrë 10.000 euro subvencione me OJQ në e tij PLAN nga drejtoria për kulturë rini dhe sport pa raport financiar. Pra, qeverisja Totaj ka dhënë subvencione tek aplikuesit të cilët nuk I kanë plotësuar kriteret për aplikim.

    Shikoni në dosjen e aplikimit se çka shkruan dhe pse refuzohet! Dikush duhet të merret me këtë rast dhe ti dërgoj këta trikaxhinjët aty ku e kanë vendin”, shkroi ajo në “facebook”.

    Madje ajo ka publikuar edhe një dokument për OJQ’në Plan, ku në dosjen e aplikimit ishte refuzuar se nuk kishte bashkëngjitur vërtetimi për dorëzimin e raportit financiar për vitin 2022.

    Gazeta Insajderi, në shtator të vitit 2022, kishte siguruar një audio incizim të një anëtari të komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave në komunën e Prizrenit. Sipas audios dyshohej se anëtari Arben Shala, kishte favorizuar kandidaten Gylaj Shipovicës për tu përzgjedhur drejtoreshë në gjimnazin e Prizrenit.

    Shala dëgjohej duke thënë se Gylajn po e shtyp partia por se po e shtynë përpara një person me emrin Shaip.

    Arben Shala, anëtarë i komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve në shkollat e komunës së Prizrenit, dyshohet se ka favorizuar një kandidate për tu zgjedhur në pozitën e drejtoreshës.

    Përkundër kësaj, Arben Shala është rekomanduar që të zgjedhet sërish anëtar i komisionit për përzgjedhës për intervistimin e kandidatëve në konkursin për drejtorë, zëvendës drejtorë në Institucionet Publike Arsimore në komunën e Prizrenit.

    “PROPOZIM-VENDIMIN PËR FORMIMIN E KOMISIONIT PËRZGJEDHËS Formohet komisioni përzgjedhës për intervistimin e kandidatëve në konkursin që do të shpallet sipas afatit ligjor për pozitat e lira për drejtorë, zëvendës drejtorë në Institucionet Publike Arsimore në Komunën e Prizrenit, komisioni ka këtë përbërje

    Ky Vendim, hyn në fuqi pas dërgimit në autoritetin mbikëqyrës, konform nenit 81, të Ligjit nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, si dhe publikimit në gjuhët zyrtare në web-faqen e Komunës”, thuhet në propozimin për formimin e komisionit përzgjedhës.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Prizrenit, por të njëjtit deri në publikimin e këtij teksti nuk janë përgjigjur.

    Në një audio incizim që ka siguruar Gazeta Insajderi para dy viteve, Shala dëgjohet duke treguar se si mund të ndikojë si anëtar me disa “trika” që ndonjë kandidat të vlerësohet me pikë më shumë.

    Shala, në këtë audio e përmend specifikisht emrin e kandidates Gylaj Shipovicës, e cila ka dal se është pranuar si drejtoreshë në Gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren.

    Thotë se Gylajn po e shtyp partia por se po e shtynë përpara një person me emrin Shaip, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Muhabetet e rrugëve na duhet mi bashku, se muhabetet e rrugëve dalin intestifikohen nëse dikush përbrenda rrjedh edhe e dh**n punën”, nis audio në të cilën dëgjohet duke folur Shala.

    Ai tregon se si i përgatit “trikat” që krijojnë epërsi mes kandidatëve.

    “Unë i përgadisë, se janë aty koxha do trika, edhe i përgadis asisoi që i krijoj në epërsi. Nëse s’janë kushtet e barabarta, na e kem ni diskrecion mrena komisionit që mundet, a din, nëse i kem dy ma të mirë që s`din fort edhe i shtim, se e kena diskrecionin që 1 pik ma shumë, edhe u kry puna”.

    https://youtube.com/watch?v=VR0W6FqWHko%3Ffeature%3Doembed

    Shala vazhdon bisedën duke thënë se ka kërkuar edhe nga drejtoresha e Arsimit në këtë komunës, Luljeta Veselaj Gutaj edhe nga kryetari Shaqir Totaj që të këtë më shumë drejtoresha të zgjedhura.

    “Lules [Luljeta Veselaj Gutaj] i kom than edhe Shaqes [Shaqir Totaj], me kanë që vetna unë në krejt shkollat i kisha bo drejtoresha, asnjë mashkull se kisha lon kërkun hiç, se e kom një bindje teme që krejt gra i kisha lanë”.

    Shala duke përmendur kandidaten Gylaj Shipovica Kajragdiu, thotë se ka kërkuar nga partia që të vendosin.

    “Kandidate e ke Gylajin, a qysh ke kjo, për një arsye apo tjetër, ata jon tu e shtypë koxha si shumë, edhe vetë partia, kështu që unë ju thash vendosni. Shaipi është tu e shty, Q***fsha magarin”, thuhet më tej në këtë audio.

    Shala në këtë komision, ka marrë pjesë si ekspert i pavarur i arsimit.

    Gazeta Insajderi, atë kohë kishte kontaktuar me anëtarin për zgjedhjen e Drejtorëve të shkollave në Prizren, Arben Shalën, për ta pyetur se a ka ndikuar nga pozita e tij në komisionin përzgjedhës që Gylaj Shipovica të zgjedhet drejtoreshë.

    Shala nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjen direkte pasi ka kërkuar burimin e informacionit.

    “Përgjigjen time do ta kesh nëse më tregon personin nga kush “thuhet”. Ndryshe s’kam si të t’jap përgjigje. Me t’mira”, kishte thënë Shala.

    Gazeta Insajderi, pati kontaktuar edhe drejtoreshën e Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Gylaj Shipovica Kajragdiu, e cila është zgjedhur në këtë pozitë në muajin qershor.

    Ajo ka deklaruar se është zgjedhur në këtë pozitë me meritokraci të plotë.

    “Lidhur me procesin e pozitës së drejtorit ashtu si e thashë edhe më larte unë nuk i njohë anëtarët e komisionit me emra e as me mbiemra. Unë jam përzgjedhur në këtë pozitë me meritokraci të plotë, me përvojë profesionale të lartë dhe me përgaditje time profesionale”, tha drejtoresha Gylaj Shipovica Kajragdiu.

    Arben Shala dhe Gylaj Shipovca Kajragdiu janë parë edhe në aktivitet të përbashkët.

    Kjo foto e publikuar me datën 23 shtator 2022, tregon se Shala dhe drejtoresha Gylaj Shipovca Kajragdiu, njihen dhe kanë marrë pjesë në aktivitetin e njëjtë./Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark