Për ditë të tëra, banorët e Floridës u paralajmëruan për një stuhi.
Më pak se dy javë pasi uragani Helene goditi juglindjen e SHBA-së, uragani Milton parashikohej të binte në tokë në Florida.
Zyrtarët u kërkuan banorëve rreth bregut të Gjirit të shtetit që të evakuohen.
Në një mesazh që bëri jehonë në të gjithë shtetin, kryebashkiakja e Tampas, Jane Castor, tha se Milton do të jetë “katastrofik” për qytetin bregdetar.
“Mund të them pa asnjë dramatizim: nëse vendosni të qëndroni në një nga ato zona evakuimi, do të vdisni”, paralajmëroi Castor.
Por, Chynna Perkins nga Tampa vendosi të qëndrojë në shtëpinë e saj, ku u shpreh e mbrojtur nga çdo valë stuhie.
Me burrin e saj, Sterling, ajo shqetësohej për dy qentë e tyre, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
“Thjesht kishte më shumë kuptim të qëndronim këtu. Ne mund të përballemi me pasojat”, tha Perkins.
Nëpërmjet një sërë shënimesh dhe thirrjesh zanore, Perkins raportonte për stuhinë që kalonte nëpër zonën e saj me erëra të forta dhe shi të dendur.
“Mëngjesi në Tampa ishte tipik”, tha Perkins.
“Kur u zgjova, binte shi i lehtë. Asgjë e rëndësishme”, shtoi ajo.
Siç raportohet, Channy dhe burri i saj kishin kaluar ditë të tëra duke u përgatitur për uraganin. Ata blenë ushqime të konservuara, ujë dhe ushqim për qentë. Ata karikuan telefonat dhe bateritë.
“Ne jemi të përgatitur aq sa mundemi”, tha Channy për shtëpinë e saj njëkatëshe me ngjyrë të bardhë.
Deri në atë kohë, parashikimet ishin të qarta: Milton do të “shkatërronte” shtëpinë e Perkins vetëm në disa orë, me shi dhe erëra deri në 156 km/h.
Por, ajo ndihej e sigurt.
“Nuk ka asnjë arsye që ne të jemi në rrugë”, u shpreh ajo.
Brenda pak orësh, moti dukej se ishte ndryshuar për keq.
Qielli mbi shtëpinë e Perkins ishte bërë tërësisht i hirtë.
“Po bie shi, ju mund ta dëgjoni”, tha ajo duke ecur në oborrin e saj ku kishin filluar të formoheshin pellgje të vogla uji.
Pas katër orësh, ndryshoi situata.
Shiu u bë më intensiv, i bartur nga era e fortë.
“Era me të vërtetë ka filluar të bëhet më e fuqishme”, tha Channy.
Në këtë pikë, Milton po zvarritej drejt bregut, vetëm një orë larg zbarkimit në tokë.
Në telefon, ajo shpjegoi sërish arsyet e qëndrimit.
“Që ne të përmbytemi këtu, sasia e shiut duhet të jetë astronomike”, tha Channy.
“Unë kam një intuitë të mirë. Ndjehem sikur kam jetuar në Florida mjaft kohë dhe kam kaluar nëpër uragane”, shtoi ajo.
Por, ende kishte frikë.
“Ankthi im ka qenë në kulm gjatë gjithë kësaj kohe. Është shumë e frikshme, vetëm të shohësh dhe dëgjosh se sa i fuqishëm është”, u shpreh ajo.
“Ankthi vjen nga loja e pritjes. Ne e dimë prej katër ditësh që ky uragan po vjen. Unë thjesht dua ta kaloj atë në mënyrë që të mos ndihem kështu”.
Menjëherë pasi Milton zbarkoi në Florida, ‘dritat u fikën’.
“Ne jemi ende mirë”, u shpreh amerikanja duke theksuar se nuk u pendua që qëndroi.
Më pas, ajo ka publikuar një videoklip të oborrit të saj ku shihet “qielli i pastër”.
“Ne e kaluam mirë stuhinë”, përfundoi ajo.