Pjesë e programit të edicionit të katërt të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” do të jetë prozatorja dhe përkthyesja e njohur letrare, Anna Kove.
Anna Kove është shkrimtare dhe përkthyes e letërsisë gjermane ne shqip. U lind në qytetin e Pogradecit më 25 prill 1968. Studioi për Gjuhë shqipe dhe Letërsi dhe u diplomua në vitin 1990 në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës. Në vitin 2004 mbaroi studimet master në “Media dhe shkëmbimi i kulturave” në Universitetin Europian të Viadrinës në Gjermani.
Anna Kove është autore e disa librave: “Shën Valentin ku ishe”, “Djegë Ujërash”, “Nimfa e pemës së humbur”, “Kambanat e së dielës”. Kritika e quan shkrimtaren Kove si një nga penat e talentuara të prozës bashkëkohore shqipe. Kontributi i saj është i pandarë nga ai i përkthimit të letërsisë gjermane, duke sjellë në shqip emra, si: Paul Celan, Herta Mueller, Clemens Meyer, Ilse Aichinger, Rose Ausländer, Daniel Kehlmann, Hermann Broch, Peter Stamm etj. Për krijimtarinë dhe përkthimet e saj Anna Kove është vlerësuar shpesh me çmime letrare.
Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon Festivalin e Prozës Artistike “FICTION FEST”, edicioni i katërt, duke e shndërruar në një organizim të përvitshëm me synimin e të bërit të tij tradicional dhe shënjues vleror në hartën e aktiviteteve letrare shqiptare.
Këtë vit do t’i dëgjojmë dhe do të takohemi me shkrimtarë të vlershëm të letërsisë së sotme shqipe, si Ibrahim Kadriu, Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ana Kove, Binak Kelmendi, Ballsor Hoxha, Andreas Dushi, Azem Deliu dhe Enkelejd Lamaj.
Edicioni i katërt do të mbahet me datat 25 dhe 26 nëntor, 2021, dhe do t’i ketë dy mbrëmje leximi. Në mbrëmjen e parë (25/11, e enjte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ballsor Hoxha dhe Azem Deliu. Ndërsa, në mbrëmjen e dytë (26/11, e premte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Ibrahim Kadriu, Ana Kove, Binak Kelmendi, Andreas Dushi dhe Enkelejd Lamaj.
Të dy mbrëmjet fillojnë në ora 19:00 dhe mbahen në restorant “Amaro”, që ndodhet në rr. Eqrem Çabej, përballë Fakultetit të Filologjisë-UP, Prishtinë.
Edicioni i katërt i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës.