Ansambli ‘Lidhja e Prizrenit’ përpos që u kthye në Ansamblin më aktiv dhe përmbajtjesor në Prizren, ai me suksese po dëshmohet edhe në festivale jo vetëm brenda Kosovës por edhe në festivalet mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare.
Këtë fundjavë, Ansambli ‘Lidhja e Prizrenit’, u kthye në Prizren me kurorën e edicionit të 22 me radhë të festivalit “Oda Dibrane 2016” si fituese , dhe këtë sukses e arrin në mesin e 18 grupeve dhe Ansambleve nga trevat dhe hapësirat mbarëshqiptare. Në këtë festival Ansambli Lidhja e Prizrenit u paraqit me valle burimore me daulle e zurle, me motive nga rajoni i Prizrenit dhe me këngëtaren e mirenjohur prizrenase Ylmize Tafallari.
“Për tri ditë me radhë me programet e tyre të traditës nga vendet prej nga ata vijnë,në festivalin “Oda Dibrane 2016 ”u prezantuan 18 grupe dhe Ansamble nga të gjitha trevat shqiptare, dhe juria profesionale në përbërje prej njohësve të fushës: Edmond Zhulali kryetar jurie, Ermir Dizdari dhe Haki Fazliu anëtarë, unanimisht vendosën që çmimin e parë të festivalit t’ia ndajnë Ansamblit “Lidhja e Prizrenit””, ka thënë drejtori i këtij Ansambli, Jeton Qafleshi, shkruan KultPlus.
Sipas tij, përveç nga juria profesionale, programi i AKV “Lidhja e Prizrenit” u prit jashtëzakonisht mirë edhe nga publiku, ndërsa u vlerësua edhe për origjinalitetin dhe profesionalizmin , me ç’rast ky Ansambël shumë shpejt do të shfaq edhe koncertin e dekadës së parë të punës, duke rezultuar me shumë suksese dhe rezultate , njëherësh edhe si një letërnjoftim i ri i qytetit të bukur të Prizrenit , për çka dita-ditës po i rritë imazhin me mbi 250 anëtarë nga të gjitha moshat.
“AKV ‘Lidhja e Prizrenit’ ngadalë por sigurt po bëhet shenja dalluese të së sotmes së kulturës në Prizren, falë punës së madhe , profesionalizmit dhe përkushtimit serioz”, ka shtuar Qafleshi.