Antidroga në Prizren kap mbi 4 kg kokainë, vlera deri në 300 mijë euro - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Antidroga në Prizren kap mbi 4 kg kokainë, vlera deri në 300 mijë euro

    Insajderi
    12 August 2025 - 09:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një sasi e konsiderueshme droge ka rënë në duart e Policisë së Kosovës pas një operacioni të suksesshëm të zhvilluar në Prizren. Mbi katër kilogramë kokainë u kapën më 11 gusht 2025 në rrugën “Viljam Voker”, në një aksion të ndërmarrë nga njësiti antidrogë.

    Në pranga ka përfunduar një 31-vjeçar me inicialet H.K., shtetas i Kosovës, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e substancave narkotike.

    Policia ka njoftuar se droga e sekuestruar, nëse do të dilte në tregun ilegal, do të arrinte një vlerë prej afro 300 mijë euro.

    Ndërkaq, pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.

    Gjatë kontrollit të realizuar në dy lokacione me urdhër të prokurorit kompetent, Policia thotë se në njërën nga lokacionet janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale.

    “Substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë totale 4 kg e 440 gram; Dy peshore elektronike; Para në vlerë prej 260 euro; Një  pajisje për vakumim të qeseve plastike; Një  motoçikletë PIAGGIO VESPA; Një telefon mobil iPhone 15 Pro Max; Një  skalper; dhe, sasi e konsiderueshme e qeseve plastike për paketim”, theksoi Policia në njoftim.

    Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar nga ana e Njësisë së antidrogës në Prizren në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren. 


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark