Kryetari i Këshillit të Etikës së UP-së, Iset Morina, ishte denoncuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit nga Enver Hasani, profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Fakultetin Juridik. Tashmë lidhur me këtë është marrë një vendim i cili është në favor të Hasanit.
Hasani kishte vlerësuar se Morina ka konflikt interesi për ta trajtuar një rast të tij, të ngritur para Këshillit të Etikës nga dekani Avni Puka.
Sipas tij, Morina e ka “amnistuar” paraprakisht Pukën, pasi Hasani ka hedhur pretendimin se dekani ka doktoratë false.
Ndërsa tashmë, AKP ka vlerësuar se në këtë rast ka elemente të konflikt interesit.
Në vendimin që ka siguruar Insajderi thuhet se, Agjencia konform mandatit dhe kompetencave ligjore që ka për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, ka zhvilluar hetimin administrativ duke trajtuar dhe shqyrtuar vetëm pretendimet për konflikt të interesit.
Konkretisht, vetëm sa i përket konstatimit nëse paraqet konflikt të interesit pjesmarrja e Iset Morina, në cilësi të anëtarit (kryesuesit) të Këshillit të Etikës së UPHP-së, në rastin ndaj Enver Hasani.
Tutje, aty thuhet se Morina është informuar ndaj tij kanë filluar hetimet për konflikt interesi.
“Agjencia përmes shkresës zyrtare (DPKI-1519/24), ka njoftuar zyrtarin z. Iset Morina, lidh me fillimin e procedurës për shqyrtimin e gjendjes së konfliktit të interesit. Pas kësaj, ësh organizuar dhe mbajtur një takim me zyrtarin në Agjenci, me ç’rast i njëjti është njoftuar n pretendimet për konflikt të interesit dhe faktet që posedon Agjencia lidhur me këtë rast”, shkruhet në vendimin e marrë.
Agjencia konstatoi së konflikti i interesit është i lidhur ngusht me vendimmarrjen e zyrtarit në një çështje të caktuar, në të cilën zyrtari ka apo mund të ketë interes privat për vete apo për personat e afërm me të.
Agjencia ka kërkuar nga Senati i UPHP-së, që në cilësi të institucionit udhëheqës i Këshillit të Etikës, të ndërmerr masat për zgjidhjen e situatës së konfliktit të interesit.
“Konkretisht, Agjencia kërkon nga organi si më lartë të revokoj ose shfuqizioj vendimet dhe veprimet procedurale të Këshillit të Etikës për këtë rast, ashtu që të ndalet procedura dhe procesi disiplinor ndaj z. Enver Hasani të kthehet në fazën fillestare, si dhe të trajtohet denoncimi nga një përbërje e Këshillit të Etikës pa konflikt të interesit”, thuhet aty.