Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka anuluar një tender të Komunës së Kamenicës, pas ankesës që ka bërë një Operator Ekonomik (OE).
Fjala është për tenderin “Hartimi i hartës Zonale të Komunës”, në të cilin tender kishte aplikuar edhe kompania “N.N.SH Vizion Project”.
Por anulimi i tenderit ishte bërë pasi Autoriteti Kontraktues, në këtë rast Komuna e Kamenicës, ka komunikuar me kompaninë aplikuese përmes një e-maili të gabuar.
Komuna e Kamenicës ka kërkuar nga kjo kompani dokumente shtesë rreth tenderit. Por asgjë nuk i ka shkuar në adresë të duhur.
Kjo është konstatuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) pas ankesës që ka bërë kjo kompani.
Fillimisht Komuna e Kamenicës kishte komunikuar me këtë kompani përmes një e-maili që ka qenë adresë e saktë. Por më vonë, kur kjo kompani ka bërë ankesë ndaj autoritetit kontraktues, aty huqet adresa.
Gjatë rivlerësimit të ofertës, autoriteti kontraktues i kërkon kompanisë Vizion Project sqarim shtesë, por tash komunikimi bëhet në adresë të gabuar. Dhe kështu, kjo kompani, si Operator Ekonomik, nuk pranon asnjë kërkesë nga komuna.
“Paneli shqyrtues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, shqyrtimit të pretendimeve ankimore, duke pasur parasysh raportin e ekspertit shqyrtues, konstaton se autoriteti kontraktues fillimisht me operatorin ekonomik ankues ka komunikuar përmes email adresës elektronike [email protected], adresë e cila është lënë nga operatori ekonomik si kontakt, adresa gjatë rivlerësimit të ofertës autoriteti kontraktues ka provuar që të komunikoj me OE ankues me email adresën elektronike [email protected], duke kërkuar sqarime shtesë në lidhje me plotësimin e dokumentacionit si dhe duke njoftuar me letrën standarde për eliminimin nga ky aktivitet i prokurimit, por megjithatë asnjëri prej këtyre emaileve të dërguara nga ana e AK-së, nuk është pranuar nga OE ekonomik Vizion Project, pasi që nuk ka qenë adresë zyrtare e operatorit ekonomik ankues. Prandaj operatori ekonomik ankues në mungesë të njohurive që do kërkohen sqarime shtesë, nuk ka mundur të përgjigjet dhe për këtë arsye është eliminuar padrejtësisht nga autoriteti kontraktues”, thuhen ndër tjera në arsyen e OShP-së.