Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dy deputetëve të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, si dhe deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku, të cilët akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës.
“Refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Xh.S, avokat Laur Prenaj, F.P, avokat Lavdrim Salihu, D.M, avokat Labinot Buzuku dhe S.Z, avokat Laura Pnishi, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, …, i datës 06.06.2024,vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit, të përpiluar më 13 dhjetor 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishin ushtruar mbrojtësit e të akuzuarve të lartcekur.
Mbrojtësi i Sveçlës, avokati Prenaj i ka propozuar Gjykatës së Apelit që ankesa të aprovohet dhe akuza të hudhet poshtë, me arsyetimin se vepra për të cilën akuzohet Sveçla nuk përbën vepër penale dhe nuk ka prova të mjaftueshme që mbështesin arsyetimin e bazuar mirë.
Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarës Pacolli-Dalipi, avokati i Salihu i ka propozuar Apelit që ankesa e tij të aprovohet dhe aktakuza të hudhet poshtë ndaj të mbrojturës të tij, me arsyetimin se është e pabazuar në ligj e prova.
Edhe mbrojtësi i Millakut, avokati Buzuku ka propozuar që ankesa të aprovohet dhe aktakuza të hudhet poshtë si të pabazuar.
Dhe krejt në fund, mbrojtësja e Zybës, avokatja Pnishi i ka propozuar Apelit që ta aprovojë ankesën dhe aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ta anulojë.
Mbi këto pretendime të avokatëve, Prokuroria e Apelit ka dorëzuar parashtresë përmes të cilës i ka propozuar Gjykatës së Apelit që të gjitha ankesat e avokatëve të refuzohen ndërsa vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë të vërtetohet.
Mirëpo, sipas Apelit, vendimi i Themelores përmes të cilit është konfirmuar aktakuza e Prokurorisë është i qartë dhe konkret.
Sipas Apelit, në këtë fazë të procedurës aktakuza e ngritur përmban të gjitha elementet e kërkuara sipas ligjit dhe se nuk ka vend për hudhje të aktakuzës, si dhe nuk përjashtohet përgjegjësia penale e të akuzuarve.
Gjithashtu, në vendim thuhet se nuk ekzistojnë rrethana të tjera që pengojnë ndjekjen penale dhe se ka prova të bazuara mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për çka edhe po akuzohen.
“…nuk ka vend për hedhje të aktakuzës, ngase vepra penale për të cilën po akuzohen të pandehurit paraqet vepër penale, nuk ekzistojnë rrethana që përjashtojnë përgjegjësinë penale, nuk ka arrit afati i parashkrimit, nuk ka rrethana të tjera që pengojnë ndjekjen penale dhe ka prova të mjaftueshme për një dyshim të bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen…”, thuhet në vendimin e Apelit.
Pretendimet e mbrojtësve të të akuzuarve se nuk ka prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë, sipas Apelit, nuk qëndrojnë pasi që këto pretendime do të vlerësohen dhe vërtetohen gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Gjithashtu, lidhur me pretendimet që provat materiale që gjenden në aktakuzë nuk kanë lidhshmëri me mes veprimeve të të akuzuarve, sipas Apelit, në këtë fazë nuk do të shqyrtohen pasi që tash në këtë fazë shqyrtohet vetëm ligjshmëria e nxjerrjes së provave dhe ngritjes së aktakuzës.