
Gjykata e Apelit ka vendosur që ankesa e Prokurorisë Speciale kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore për të pandehurit Enver Hasani dhe Arta Rama të hedhet poshtë si jo lëndore.
Sipas arsyetimit të Gjykatës së Apelit, meqenëse më herët në këtë rast është ngritur aktakuzë “çështja e ligjshmërisë së zbatimit të hetimeve ndaj të pandehurit, por edhe kërkesës për mundësi hetuese të veçantë në drejtim të pretendimeve të palëve në procedurë, tani është jo lëndore”.
“Kjo për faktin se hetimet kanë përfunduar me ngritje të akuzës, sipas të cilës, pavarësisht vendimit të panelit, gjykata është e obliguar të veproj, e ku do të sqarohej edhe çështja e imunitetit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Prokuroria kishte ankimuar një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila e kishte rrezuar aktakuzën e prokurorisë ndaj Hasanit me arsyetimin se ai ka pasur imunitet funksional gjatë kohës për të cilën akuzohet për vepër penale.
Atë kohë, Hasani ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe akuzohet e ka falsifikuar një nënshkrim të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Robert Carolan./Insajderi.com