Gjykata e Apelit e ka anuluar një vendim të Gjykatës Themelore në Pejë duke e kthyer rastin në rivendosje, me të cilin është refuzuar kërkesa e prokurorisë për ekstradimin e ish-priftit britanik Laurence Soper, të cilit i është zgjatur masa e paraburgimit.
Personi në fjalë po kërkohet nga ana e Britanisë se Madhe për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale: marrëdhënie seksuale anale; gjashtë vepra penale sulm i pahijshëm mbi një person mashkull; si dhe imoralitet me një fëmijë, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës së Apelit.
Gjykata e Apelit gjeti se ankesa e prokurorisë kundër aktvendimit të shkallës se parë është e bazuar. Kjo për faktin se vendimi në fjalë nuk është i bazuar, ngase aplikimi i ligjit penal vendor është i gabuar, dhe nuk janë dhënë arsye të qarta sa i përket skadimit të afatit të parashkrimit të veprave penale, për të cilat po kërkohet shtetasi britanik.
Më parë Insajderi.com kishte raportuar se Laurence Soper kishte jetuar për vite të tëra në Pejtë. Qysh në vitin 2012 është në kërkim të Policisë në Britani. Emri i tij është Laurence Soper, të cilin qytetarët e njohin si njeri të mirë por në Angli ai njihet si “djalli me jakë qeni”.
Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se kishte arrestuar në Pejë një qytetar britanik në bazë të urdhëresës ndërkombëtare evropiane të lëshuar nga Britania e Madhe, Divizioni Kundër Krimit të Organizuar. Ai ishte arrestuar me dyshimet që ka kryer veprën penale të pedofilisë.
Lauence Soper akuzohet për abuzim të fëmijëve në shkollën e Shën Benediktit, një shkollë private e pavarur katolike pjesë e kishës në Londër.
Para se të jetonte në Londër, gjatë viteve 1991-2000, Soper kishte jetuar në një manastir në Romë.
Megjithatë ai kishte vazhduar t’i ikte policisë edhe pse në vitin 2010 ishte arrestuar nga policia por ishte liruar për të vazhduar më tej hetimi. Ai kurrë nuk është paraqitur më.
Policia në Britani të Madhe kishte dyshuar në vitin 2012 se ai mund të ishte në Itali por më pas nuk ka informacione.
Ish-prifti dyshohet se ka abuzuar me fëmijë qysh para 20 viteve. Ai ka punuar si mësimdhënës nga viti 1973-1983 dhe u bë administrator i shkollës së Shën Benediktit në vitin 1975 ku punoi deri në vitin 1991.
Sipas dëshmive të familjarëve të viktimave dhënë për “Daily Mail” thuhet se Soper ka përdorur edhe emrin Andreë Charles, të njëjtin emër që e ka përdorur edhe në Pejë.
Akuzat e para ndaj Soper ishin bërë nga një ish-nxënës. Pas kësaj Soper ishte arrestuar dhe marrë në pyetje në vitin 2010.
Dy ish-mësues në shkollën e Shën Benediktit janë arrestuar dhe janë dënuar me 40 vjet burg, raportonte Daily Mail. /Insajderi.com