Agjencia Qendrore e Prokurimeve kishte kërkuar javë më parë që firma “Botek” të futej në listë të zezë. Ngriste dyshime për mashtrim, pasi që i kërkoi tjetër sistem brenda tabletëve për regjistrimin e popullsisë, e ajo i solli tjetër. Por, nga kjo marrëdhënie e tensionuar, situata është kthyer në një drejtim të kundërt: Tash AQP-ja i ka dhënë kësaj firme një tender të negociuar, pa pasur mundësi që në garë të ishin edhe kompani të tjera
Gazeta Insajderi
Në mars të këtij viti Gazeta Insajderi pati raportuar se si Agjencia Qendrore e Prokurimeve dhe firma private “Botek” kishin hyrë në një betejë tek Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP).
AQP-ja kërkonte hic më pak se sa ta largonte nga tregu i tenderëve kompaninë “Botek”.
Dyshimet: se kishte mashtruar me sistemin që ofroi tek tabletët për regjistrimin e popullsisë.
Siç raportoi Gazeta Insajderi, komisioni i pranimit të mallit sipas AQP-së kishte vërtetuar faktin se “Botek” kishte dërguar tabletët në ASK, me sistem operativ Android 10, ndërsa në specifikat teknike është kërkuar sistem operativ Android 12.
Nisma e futjes në listën e zezë të bizneseve që iu pamundësohet pjesëmarrja në prokurime publike dështoi, pasi që OShP-ja nuk ia miratoi kërkesën.
Disa javë pas këtij episodi, marrëdhëniet mes AQP-së e “Botek” kanë ndërruar në kahje komplet të kundërt.
Më fillim të prillit të këtij viti AQP-ja nisi procedurat për një tender të negociuar, larg syve të publikut, e që rëndom janë kritikuar si tenderë të dyshimtë e korruptiv.
Më 9 prill AQP doli me njoftimin që tenderin “Mirëmbajtjen e sistemit softuerik SPECTRA për menaxhimin e spektrit frekuencore”, me negocim, ia ka dhënë “Botek”-ut për një vlerë prej 270 mijë eurosh.
Tek Dosja e Tenderit del që në dokumentet e autorizimeve të kalimit të të dhënave për ta kryer këtë punë kompania “Botek”, nënshkrimin e ka vënë Nazim Rahimi, Kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike (ARKEP).
Pse kërkoi AQP që “Botek” të futej në listën e zezë?
Agjencia Qendrore e Prokurimit e cila udhëheq me tenderin për nevoja të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kishte kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që operatori ekonomik “Botek” të futet në listë të zezë. Kontrata e nënshkruar në gusht të 2023, ka të bëjë me furnizimin me tabletë të ASK-së. Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte marrë një vendim kundër kërkesës së AQP-së
AQP-ja pretendonte se kompania “Biotek”, si pjesëmarrëse në aktivitetin e prokurimit me titull: Furnizim me tabletë për nevojat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës nuk e kishte përmbushur kontratën në përputhje me termat dhe kushtet e specifikuara.
Komisioni i pranimit të mallit sipas AQP-së kishte vërtetuar faktin se “Botek” kishte dërguar tabletët në ASK, me sistem operativ Android 10, ndërsa në specifikat teknike ishte kërkuar sistem operativ Android 12.
Lexo raportimin e Insajderit | Tabletët e regjistrimit të popullsisë – AQP kërkon që firma “Botek” të futet në listë të zezë