Burime të Insajderit kanë bërë të ditur se është arrestuar Marglen Çomani (shtetas i Shqipërisë) nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në zonën e mbjellë me 965 bimë kanabisi të identifikuar nga Policia e Kosovës në fshatin Perqevë të Klinës.
Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga Insajderi thuhet se sipas raportit të inteligjencës, më 1 gusht të këtij viti të pandehurit bisedojnë mes vete për maska, për vizita në vendin e ngjarjes, për kultivimin e marihuanës dhe çështje të tjera.
Gjykata Themelore në Pejë më 11 gusht lidhur me këtë rast caktoi masën e paraburgimit ndaj Silver Qibinit.
Prokuroria Themelore në Pejë në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Qibinit thuhet se ekziston rreziku real që ai të arratiset dhe të pengojë rrjedhen normale të procedurës penale.
“…Kësaj duhet shtuar edhe faktin se i pandehuri Silver nuk është shtetas i Republikës së Kosovës por shtetas i Republikës së Shqipërisë, në Kosovë nuk ka ndonjë vendbanim dhe i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë zbatimit të planit operativ. Andaj me lënien e tij në liri ekziston rreziku reali që ai të arratiset dhe të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka parë Insajderi.
Gjykata ka vlerësuar se të dyshuarit kanë përsëritur në vazhdimësi veprën penale “dhe numrin e bimëve të mbjella që është 960 sosh të cilit kishin për t’u nxjerr për t’u tharë e më pas do të ishin për shitje”.
Policia e Kosovës lidhur me këtë rast i shpalli në kërkim pesë persona: Gzim Gashin, Faik Gashin, Selim Gashin, Marglen Çomanin dhe Albion Kalemin.
Siç u tha në njoftimin e PK’së, ata dyshohet të kenë kryer veprën penale “Kultivim i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.
“Personat e dyshuar me autorizim të organeve të drejtësisë shpallen në KËRKIM nga Policia e Kosovës nën dyshimin e bazuar se të njëjtit duke bashkëpunuar dhe bashkëvepruar kanë kryer veprën penale “Kultivim i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” vepër kjo e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e PK’së.
Këtë operacion po e udhëheq prokurori Ersan Qavolli.