Banorët e Katarit kanë nxitur për në supermarketet vendase për të grumbulluar ushqime, ndërkoh; që Arabia Saudite ka mbyllur kufirin e vetëm tokësor, raporton Doha News.
Që në orët e hershme të mëngjesit, banorët nxituan për të blerë qumësht, ujë, oriz, vezë e mallra të tjera kryesore të të ushqyerit.
“Asnjëherë nuk kam parë ndonjë gjë të tillë. Njerëzit janë të mbushur me ushqime dhe ujë”, tha një nga konsumatorët në qendrën tregtare Villaggio.
Blerjet masive ndodhën pas njoftimit të mëhershëm nga Riadi se kufiri tokësor midis Arabisë Saudite dhe Katarit, i vetmi për importet në vendin e vogël, u mbyll. Pothuajse 40 për qind e ushqimit të Katarit vjen nëpërmjet kësaj rruge tokësore.
Duke qenë në shkretëtirë, Katari prodhon më pak se 10 për qind të ushqimit për banorët e vet, sipas një hulumtimi të vitit të kaluar.
Në vitin 2012, vendi importoi 99.5 për qind të drithërave, 83.4 për qind të perimeve, 86 për qind të frutave, 93.6 për qind të mishit, 95 për qind të fasuleve dhe 100 për qind të vajit ushqimor.
Mbyllja e kufirit vjen pas ndërprerjes së lidhjeve diplomatike me Katarin nga 6 shtete, si Bahreini, Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemeni. Katari akuzohet nga fqinjët e saj arabë se mbështet grupet terroriste.
Riad gjithashtu ka ndalur trafikun ajror dhe detar me Katarin, duke i nxitur “të gjitha vendet dhe kompanitë vëllazërore të bëjnë të njëjtën gjë”.