
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka hedhur poshtë dy ankesa të ish-ministrit Arban Abrashi kundër Gazetës Insajderi. Abrashi kishte dorëzuar ankesa në KMShK lidhur me një hulumtim të publikuar ekskluzivisht nga Insajderi, që trajtonte dyshimet për përfshirjen e ish-ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale në keqtrajtim dhe mashtrim të punëtorëve që dërgoheshin për punë në Suedi.
Gazeta Insajderi kishte publikuar rrëfimet e disa shoferëve, të cilët akuzonin Abrashin për mashtrim me kontrata dhe për mosdhënie të pagave, ndryshe nga ajo që ishte premtuar fillimisht.
Artikulli i parë përmbante rrëfimin ekskluziv të një punëtori, i cili hodhi dyshime për një skemë mashtrimi, duke u bazuar në përvojën e tij personale me Abrashin.
Lidhur me këtë shkrim, KMShK nuk e ka miratuar ankesën e Arban Abrashit.
“KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Arban Abrashit kundër Insajderi.org për shkrimin me titull “Thellohen akuzat ndaj ish-ministrit Abrashi / ‘Shkova për bukë të gojës, na la pa rroga’ – Rrëfimi ekskluziv i shoferit 68-vjeçar”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe V të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht prezumimin e pafajësisë”, thuhet në njoftimin e Këshillit.
Hulumtimi i plotë:
Ankesa e dytë kishte të bënte me vazhdimin e hulumtimit. Edhe kjo ankesë është shpallur e paafatshme nga KMShK.
“KMShK e ka shpallur të paafatshme ankesën e Arban Abrashit kundër Insajderi.org për shkrimin me titull “Ekskluzive – Insajderi zbardh skemën e mashtrimit të punëtorëve në Suedi nga ish-ministri Arban Abrashi””, vijon njoftimi.
Hulumtimi i plotë:
Autore e hulumtimit është gazetarja Mira Avdimetaj.