
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Arben Gashi, ka kritikuar ashpër procesin e numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal, duke thënë se ky proces ka dështuar dhe ka dëmtuar besimin në vërtetësinë e rezultatit zgjedhor.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka theksuar se është e domosdoshme që KQZ të ndërmarrë hapa për të rregulluar situatën dhe për të siguruar transparencë dhe besueshmëri në procesin zgjedhor.
“Siç po duket, procesi i numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar. Ky dështim ka dëmtuar gjithashtu rëndë besimin në vërtetësinë e rezultatit zgjedhor,” ka shkruar ai.
Gashi ka kërkuar që KQZ të veprojë urgjentisht për të rinumëruar të gjitha votat në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë për të siguruar një proces të drejtë dhe të besueshëm.
Një tjetër problem që Gashi ka ngritur ka të bëjë me manipulimin e votave të diasporës. Ai ka thënë se kjo ka ndodhur sidomos brenda partive politike, duke theksuar se kjo praktikë dëmton demokracinë dhe besimin e qytetarëve në institucionet e zgjedhura.
“Këto vota, siç po shihet, janë manipuluar sidomos brenda partive politike. Demokracia, ndër të tjera, është edhe besim në institucionet e zgjedhura,” ka shtuar ai.
Në përfundim, Gashi ka theksuar se vendi ka nevojë për institucione që janë të besueshme dhe të përfaqësuara drejtësisht nga qytetarët.