Gazeta Insanderi merr vesh që Arben Lamçja ka pranuar që vullnetarisht të shkojë në Shqipëri për tu përball me dyshimet qe janë ngritur nga SPAK kundër tij. Gazeta Insajderi ka publikuar tashmë dosjen e këtij rasti. Ai ishte në procedurë ekstradimi, por e ka thjeshtëzuar atë.
“Në konsult me ne si mbrojtje ai ka vendosur që vullnetarisht të shkoi në Shqipëri. Ai po dëshiron që të përballet dhe t’i sqaroi dyshimet që janë ngritur kundër tij”, ka thënë për Insajderin avokatja e tij në Kosovë, Arbenita Zija që ishte në ekip me avokaten Besjana Ismajli.
Ajo tha që beson në pafajësinë e tij pasi që rasti sipas saj është i bazuar në përgjime të platformës “Sky ECC”, që sipas saj edhe me vendime të Gjykatës Evropian janë prova të papranueshme.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kishte lëshuar kërkesë për ekstradimin e Arben Lamçes nga Kosova në Shqipëri.
Lamçe u arrestua nga Policia e Kosovës me kërkesë të Shqipërisë në Prishtinë. Ai kërkohet për disa vepra penale, mes tyre edhe vrasjet me pagesë dhe bashkëpunim me organizata kriminale.
Insajderi solli ekskluzivisht detaje nga dokumentacioni i përgatitur nga SPAK për ekstradimin e Lamçes nga Kosova.
Insajderi ka arritur të sigurojë ekskluzivisht dokumentin e SPAK-ut të dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë, që parasheh ekstradimin e Lamçes nga Kosova për në shtetin fqinj. SPAK e ngarkon Lamçensi bashkëpunëtor i një organizate kriminale të drejtuar nga Franc (Franc Gergely) dhe Hajdar Çopja (Hajdar Bako), të lidhur me Evropën dhe vendet e Amerikës Latine.
“Hetimet tregojnë se pas vitit 2018, vëllezërit Çopja janë shndërruar në një organizatë kriminale të mirëfilltë, e cila në bashkëpunim edhe me grupe të tjera të krimit të organizuar transnacional e ka zgjeruar veprimtarinë e saj kriminale në trafikimin e drogave të forta kryesisht kokainë. Të ardhurat e siguruara nga trafiku i narkotikëve provohet se i kanë përdorur për të paguar vrasësit me pagesë të grupit të kundërshtar dhe po ashtu i kanë pastruar në Shqipëri. Vëllezërit Çopja kanë rekrutuar të hetuarin Arben Lamcja siç dhe te tjerë me qëllim pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale”, thuhet ndër të tjera në kërkesen e SPAK’ut.
Sipas SPAK’ut, Lamçe ka kryer veprime për llogari të Çopjave dhe është takuar me personin i cili ka marrë përsipër vrasjen e Nuredin Dumanit. Për të kryer vrasjen, personi i ka kërkuar Arben Lamçes më shumë të dhëna në lidhje me shtetasin Nuredin Dumani për vendndodhjen, veturën me të cilën lëvizte dhe numrin e telefonit që përdorte. Sipas SPAK, janë ofruar 250.000 euro për kapjen e Nuredin Dumanit dhe 500.000 euro për ekzekutimin e tij.
Pos tjerash, SPAK e paraqet Lamçen si person i besuar i Çopjave. SPAK thotë se ai menaxhonte vlerat monetaresh kesh të tyre, si dhe blinte prona të paluajtshme dhe substancë narkotike në emër të tyre.
“Ne raste të përsëritura Arben Lamcja, me porosi të Franc Gergely, ka tërhequr dhe transferuar nëpërmjet një zyre të këmbimit valutor (Exchange) në Tiranë, shuma monetare në vlera të konsiderueshme, që dyshohet se kanë shërbyer për blerje pasurish të paluajtshme, e kryerje pagesash për blerje të sasive të lëndëve narkotike për llogari të organizatës kriminale”, vijon sqarimi i SPAK për kërkesën e ekstradimit të SPAK.
“Ky relacion përpilohet në vështrim të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës “mbi Ekstradimin”, nenit 504 të Kodit të Procedures Penale, si dhe Ligjit Nr.10 193 date 03.12.2009”, thuhet ndër të tjera.
Kush janë Çopjajt?
Veprimtaria kriminale e vëllezërve Hajdar Bako (Çopja) e Franc Gergely (Çopja), daton rreth viteve 2006-2007, ku fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërndarë në sasi të vogla lëndë narkotike të llojit kokainë. Me kalimin e viteve ata u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës dhe nga Italia e zgjeruan aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Evropës, kryesisht në Holandë, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Gjithashtu, me kalimin e viteve u rrit potenciali i tyre ekonomik, si rrjedhojë edhe pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi, pasi ata krijuan kontakte të cilat ju dhanë më pas atyre mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të narkotrafikut në vendet e Amerikes Latine si vende origjine të kokainës.
Hetimet tregojnë se pas vitit 2018, vëllezërit Çopja janë shndërruar në një organizatë kriminale të mirëfilltë, e cila në bashkëpunim edhe me grupe të tjera të krimit të organizuar transnacional e ka zgjeruar veprimtarinë e saj kriminale në trafikimin e drogave të forta, kryesisht kokainë. Të ardhurat e siguruara nga trafiku i narkotikëve provohet se i kanë përdorur për të paguar vrasësit me pagesë të grupit të kundërshtar dhe po ashtu i kanë pastruar në Shqipëri. Vëllezërit Çopja kanë rekrutuar të hetuarin Arben Lamçe siç dhe te tjerë me qëllim pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale.
Si u arrestua Lamçe?
Policia e Kosovës arrestoi Lamçen të dielën, në një operacion të zhvilluar në lagjen ‘Lakrishtë’ në Prishtinë. Në anën tjetër, Policia e Shqipërisë dha detaje për aksionin ku u arrestuar i dyshuari.
Ky arrestim erdhi në kuadër të operacionit Gordonët që u realizuar nga FAST Albania në bashkëpunim me Fast Kosova.
“FAST Albania kap dhe arreston në Prishtinë shtetasin A. L., në kuadër të operacionit “Gordonët” Në sajë të një pune të mirëfilltë profesionale, sot më datë 04.08.2024, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori pêr Kërkimin, Njësia Fast Albania, në bashkëpunim të ngushtë me FAST Kosova, në vijim të shkëmbimeve të informacioneve, në kuadër të operacionit policor “GORDONËT”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në Prishtinë, i shtetasit A. L., lindur e banues në Elbasan”, u tha në njoftimin e policisë.
Të dyshuarit i është caktuar masa e “arrestit me burg” për disa vepra penale.
“Ndaj shtetasit A.L., Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë më datë 29.07.2024, ka caktuar masën e sigurimit, “Arrest me burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e organizatës kriminale”, “Grupi i strukturuar Kriminal”, “Organizata kriminale” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga nenet 80-28/1-333 dhe 334-287 të Kodit Penal”, u tha në njoftimin e policisë.
Më 31 korrik SPAK lëshoi 31 urdhër arreste për persona të kërkuar në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë 2.”
Ky urdhër lidhet me 6 vrasje të kryera në Elbasan, Rrogozhinë dhe Berat, të cilat pretendohet se janë zbuluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar në kuadër të mega operacionit “Plumbi i Artë 2”, i cili është zhvilluar para disa ditësh në Tiranë, Elbasan e Durrës.
Përmes këtij operacioni, SPAK zbuloi porositjen e disa vrasjeve, pjesëmarrjen e grupit në grabitjen e parave në Rinas dhe skemat nëpërmjet të cilave pastronin para në ndërtim dhe me pikat e këmbimit valutor. /Insajderi.org/