
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ardian Olluri, ka premtuar se do të avokojë për ndryshime në Ligjin për Ndërtim, duke e bërë të detyrueshëm pranimin teknik të ndërtesave.
Në një video-mesazh, Olluri tha se shumë qytetarë që blejnë banesa në Kosovë përballen me vështirësi të mëdha për regjistrimin e pronave në kadastër dhe marrjen e fletës poseduese, për shkak se ndërtesat nuk kanë pranim teknik.
“Edhe pse ata nuk mund të marrin kredi hipotekare për pronën e tyre, detyrohen të paguajnë tatim mbi pronën. Kjo padrejtësi duhet të ndalet. Pranimi teknik duhet të jetë obligativ, ndërsa organet shtetërore duhet të marrin përgjegjësinë që u takon në kontrollin e ndërtimeve,” u shpreh Olluri.
Sipas tij, Ligji për Ndërtim ka mangësi dhe është joadekuat, ndaj kërkon ndryshime të domosdoshme.
“Si deputet i ardhshëm, do të avokoj për këtë,” u zotua ai.