
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka vazhduar takimet me qytetarë dhe biznese në kuadër të fushatës zgjedhore, duke u ndalur së fundmi në fabrikën “Mitroplast”, ku ka vlerësuar kontributin e punëtorëve dhe sektorit privat në zhvillimin e qytetit.
“Çdo punëtor që punon me përkushtim është një qytetar hero i shoqërisë sonë. Çdo biznes që krijon vende pune dhe kontribuon në buxhetin e shtetit është hero i zhvillimit ekonomik. Në Mitroplast, i takova të gjithë këta heronj në një vend”, ka shkruar Tahiri në rrjetet sociale.
Ai premtoi se, nëse zgjidhet kryetar i Mitrovicës, do të përqendrohet në politika që nxisin zhvillimin ekonomik, investimet dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Tahiri pritet të prezantojë platformën e tij të plotë në ditët në vijim, ndërsa PDK tashmë ka nisur fushatën me moton “Për Ty Gjithmonë, Mitrovicë”.