Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes së Armëpushimit në Gaza. Në një postim në rrjetet sociale kreu i shtetit theksoi se zbatimi i plotë i saj është thelbësor për një paqe të qëndrueshme dhe për lehtësimin e vuajtjeve të të prekurve.
“Përshëndes marrëveshjen për armëpushim në Gaza, që shënon fundin e më shumë se 15 muajve të konfliktit. I vlerësoj përpjekjet e ndërmjetësimit nga Shtetet e Bashkuara, Katari, Egjipti dhe të tjerëve. Zbatimi i plotë i marrëveshjes është thelbësor për një paqe të qëndrueshme dhe për lehtësimin e vuajtjeve për të gjithë ata që janë të prekur në rajon”, shkroi Begaj në X.
Pas 15 muajsh lufte Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje për një armëpushim në Gaza dhe për lirimin e pengjeve. Marrëveshja do të hyjë në fuqi të dielën më 19 janar dhe është në tri faza.