Enver Sekiraqa, i arratisur nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, është përmendur në Gjykatë Speciale gjatë kohës sa Nuredin Ibishi, i njohur me nofkën e luftës ‘Leka’, po dëshmon në rastin e ish-krerëve të UÇK’së.
Ibishi është pyetur në seancë pregatitore lidhur me Sekiraqën nga Prokuroria. Për këtë, mbrojtja e Jakup Krasniqit e ka pyetur nëse ka qenë në dijeni se Sekiraqa ka qenë i arratisur gjatë asaj kohe, pra në maj të këtij viti, shkruan Insajderi.
Dëshmitari ka thënë se është në dijeni për një gjë të tillë por që s’ka më shumë informacione lidhur me rastin. I njëjti ka thënë se e njeh Sekiraqën si person problematik që nga 90’at.
VIDEO:
Në anën tjetër, avokatja Shyamala Alagendra në kundërpyetje e ka pyetur Ibishin për një artikull të ‘The Irish Times’ si i kërkuar nga Interpoli.
“Sipas këtij artikulli nga … Enver Sekiraqa konsiderohej figura kryesore e krimit të organizuar në Kosovë që jetonte në Irlandë e që ishte tashmë në listën e të kërkuarve të Interpolit. Dhe sipas këtij artikulli thuhet që ai është dënuar me 36 vjet burg”, tha Alagendra.
Dëshmitari Ibishi tha se s’mund ta kualifikojë si të kërkuar për krim të organizuar, meqë këto janë çështje të drejtësisë.
Më pas, avokatja kërkoi të pranoheshin si prova gjyqësore tre artikujt që flisnin për Sekiraqën. Për këtë ndërhyri gjyqtari Mettraux. Ai pyeti se cili është qëllimi i paraqitjes së këtyre tre artikujve si prova materiale.
“Para se ta bëjmë këtë, cili është synimi për këtë? A po na thoni se Enver Sekiraqa është person i keq dhe nuk duhet të besojmë asgjë që ka thënë ai për parandalimin e tij, burgosjen e tij?”, deklaroi gjykatësi.
Avokatja ka thënë se provat duhet të pranohen për çështje të kredibilitetit të Sekiraqës.
Për këtë reagoi edhe prokurorja, e cila kundërshtoi bazën e kërkesës.
“Unë kundërshtoj për bazën e kësaj kërkese sepse në fakt avokati e ka diskutuar me dëshmitarin dhe ka folur për çështjet e besueshmërisë dhe ai ka folur për këto gjëra. Ne nuk e kuptojmë pse janë të dobishme për gjykatën”, deklaroi prokurorja.
Gjykatësi kryesor Charles L. Smith mori vendim që t’i trajtojë më vonë këto dokumente dhe të ruhen si konfidenciale. /Insajderi.org/