Përgjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës e arrestoi politikanin serb Aleksandar Arsenijeviq, për shkak të fishkëllimave në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe dy ministrave të qeverisë. Për këtë veprim, pati një sërë kritikash. Madje, disa e quajtën veprim jo-ligjor arrestimin e tij.
Drejtori ekzekutiv i Insajderit përgjatë debatit në ‘Pressing’ teksa po fliste për arrestimin e Arsenijeviq, kujtoi zhurmën që Vetëvendosja kishte bërë pasi iu kishte arrestuar aktivisti Veron Hasani nga Policia e Kosovës, meqë ky i fundit e kishte quajtur ish-presidentin Hashim Thaçi “hajn”, shkruan Insajderi.
“A ju kujtohet ai rasti Vetëvendosja sa e ka ba të madhe rastin e një djali që e kanë arrestu Policia e Kosovës në kohën e Thaçit edhe patën lëshuar komunikatë për media ku thotë: Veç pse aktivisti e ka qujtë Hashim Thaçin hajn, Policia e ka arrestu edhe i fton të tjerët me reagu “kundër kësaj arrogance diktatoriale që po tenton të imponohet nga ana e Thaçit në Kosovë””, deklaroi Olluri.
“Këta vetë kanë pasur këso raste, kanë qënë në protesta, kanë qenë aktivistë edhe vetë arrestimin e aktivistëve për një fjalë goje e kanë quajtur diktatorial. Tash, ti me ra në provokim të Arsenijeviqit, me kriju dikush tjetër material për ty si vend i dhunës dhe i shtypjes, kjo është amatorizëm“, shtoi tutje ai.
Aktivisti i VV’së në atë kohë bërtitur “hajn” dhe “pronto” në drejtim të ish-presidentit Thaçi gjatë kohës sa ky i fundit po mbante konferencë për media.
Politikani serb sot u arrestua nga Policia e Kosovës pasi fishkëlloi në drejtim të Kurtit dhe dy ministrave të tjerë të qeverisë përgjatë vizitës në Mitrovicën e Veriut për inaugurimin e stacionit të ri policor atje. /Insajderi.org/